Shqipëria e bukur në peizazhet e Roland Tashos
Alma Mile
Ka pasur fatin të shohë shumë. E falë profesionit, gjithçka ta fiksojë e ta marrë me vete. Roland Tasho ka gati 3 dekada që merret me fotografinë. Shkrepjet e tij historike të rënies së diktaturës kanë shëtitur botën. E kanë bërë të suksesshëm dhe pavarësisht se kanë kaluar vite, këto fotografi vazhdojnë të jenë më të kërkuarat e më të shiturat. Pasi kanë kaluar 20 vjet, që nga koha, kur në revistën “Ylli” botonte fotografi me pamje nga Shqipëria, fotografi i rikthehet sërish peizazhit. Janë 50 fotografi të realizuara, nga veriu në jug të Shqipërisë, të ekspozuara në galerinë “Ibrahim Kodra” në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Nuk janë fotot tradicionale. Nuk ka pritur agun e mëngjesit për të fiksuar ngjyrat më të bukura. Për fotografin e bukura gjendet kurdo, mjaft të duash. Disa prej tyre janë realizuar edhe gjatë viteve të diktaturës, ku sipas Tashos ishte e pamundur të bëje një fotografi spontane. Për një mustaqe, apo favorite, rrezikoje shumë.
E nisët rrugën tuaj me peizazhin dhe pas shumë vitesh i riktheheni sërish, përse?
Kur nisa të punoja te revista “Ylli”, në vitet ’85-’86 u shfaqa me peizazhin. Më pas historia nuk na la të merreshim më me të. Na duhej të fiksonim histori të vogla e të mëdha që ndodhnin aso kohe. Ishte rrëzimi i madh në vitin 1991, pastaj ’97-a, ’99-a... Tani i rikthehem peizazhit pas më shumë se 20-vjetësh dhe ju rrëfej se në të vërtetë ndihem shumë mirë. E ndiej si një lloj qetësimi me veten, por edhe me vendin tim.
Kur dhe ku janë realizuar?
Në këtë ekspozitë përfshihet një udhëtim prej 25-26 vjetësh. Janë 50 fotografi, të realizuara në të gjitha anët e Shqipërisë, që nga Thethi e Valbona, në bregdet, në Dardhë... Disa prej tyre janë pjesë e ciklit “40 hanet e veriut”.
Është një fotografi e kërkuar, apo spontane?
Fotografitë janë realizuar në vende, ku nuk mund të shkosh shpesh. Jo gjithnjë drita ishte e favorshme. Por sekreti qëndron te mënyra se si e bën fotografinë. E bukura dhe e veçanta mund të gjendet dhe në një ditë të zakonshme shiu... Më është dhënë mundësia të shëtis në shumë vende, jo shumë kohë më parë isha në Zvicër, ku po realizoj një projekt për emigracionin dhe mund të them me bindje se Shqipëria ka një natyrë shumë të bukur, edhe pse në pak kilometra, që të jep mundësi të bësh foto të arrira.
Në spektrin e gjerë të fotografisë, cili është vendi i peizazhit?
Mendoj se i është dhënë fare pak rëndësi. Deri tani për peizazhin shqiptar kemi vetëm një album të realizuar nga qielli, nga një djalë shumë i talentuar, por është i vetmi. Në një kohë kur flitet shumë për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, do të duhej të kishim shumë të tillë, nga ajri, nga toka, nga deti, në pranverë, në dimër... Imazhi është i prekshëm. Mjaft t’i japësh një të tillë me vete një të huaji që viziton Shqipërinë, që ai të krijojë një mendim pozitiv për vendin tonë.
Keni lëvruar peizazhin, portretin, foton, dokumentare, ku ndiheni më i suksesshëm?
Mendoj se më të suksesshmet janë fotografitë e realizuara në vitet ’90-’91. E quaj veten me fat që në atë kohë mu gjend një aparat në dorë dhe fiksova ato momente. Për mendimin tim ky është me të vërtetë një moment i madh historik. Çka kaluar para e pas nuk mendoj se kanë më shumë vlerë se kjo thyerje e madhe. Ekspozitën me foto të rënies së diktaturës e kam hapur mbi 25 herë në Francë, Gjermani, Zvicër, Itali, Hungari, Greqi, deri në Argjentinë. Të huajt janë shumë të interesuar për to dhe këto foto janë më të shiturat.
Kemi një histori të gjatë fotografie, megjithatë kulmet janë të pakta...
Është e vërtetë, fotografia jonë mbushi 150 vjet. Fillimet ishin shumë të mira. Starti ishte thuajse njëkohësisht me vendet ku lindi fotografia, por më tej, çdo gjë u zbeh. Në këto 150 vjet, momenti më i rëndësishëm është Marubi, Sotiri dhe ’91-shi. Marubi sepse edhe ai realizoi më së shumti fotografi historike, ndërsa Sotiri për nivelin e lartë të fotografisë artistike.
Përse nuk u vijua më tej në gjurmët e këtyre patriarkëve?
Fotografia mbeti pas, sepse gjatë 40-50 viteve të diktaturës, fotografia u kthye në ilustrative dhe duke qenë edhe të mbyllur nga bota nuk kishim mundësi përballjeje me të huajt. Fotografia e humbi karakterin e vet spontan. Kur na duhej të realizonim fotografi në kooperativa, apo nëpër ndërmarrje, shkonim një ditë më parë dhe përgatisnim terrenin. Tornitori, apo kooperativisti nuk mund të ishte me rrobat e punës së përditshme. Vishej, rruhej, qethej e më pas nxirrej në fotografi. Sigurisht kishte seriozitet, kishte edhe mjeshtër shumë të mirë që e donin fotografinë, por gjithsesi fotografia mbeti ilustrative.
Gjatë kësaj periudhe, ju ndodhi të kishit probleme me pushtetarët për shkak të ndonjë fotografie?
Po, po më kanë ndodhur edhe përplasje. Në një numër të revistës “Ylli” nxora në kopertinë portretin e një vajze të bukur. Të nesërmen më tërhoqën vëmendjen, pasi vajza, e cila ishte diplomuar për arkitekturë, nuk e kishte pranuar vendimin e Partisë që të shkonte të punonte në “veprat e mëdha”, ndaj ajo nuk mund të ishte imazhi i rinisë shqiptare. Në ndonjë rast tjetër i fotografuari ka pasur ndopak mustaqe...
Fotot e rënies së diktaturës, më të shtrenjtat
Një foto e rënies së diktaturës u shitet të huajve për 8-10 mijë lekë të reja. Ata që i blejnë janë njerëz të thjeshtë. Nuk merren me fotografinë, por fotografi thotë se kanë një kulturë shumë të gjerë fotografike. Ndonëse kanë kaluar vite, Roland Tasho thotë se fotot e realizuara në vitet ’90-’91 vijojnë të jenë “superfotot”. Çdo i huaj që vjen në Shqipëri, do të donte të merrte me vete një moment nga rënia e sistemit, nga rrëzimi i monumentit të diktatorit Enver Hoxha. Fotoja e realizuar nga monumenti i Skënderbeut, në Shesh, ka bërë xhiron e botës dhe është shitur shumë herë. “Vlera e tyre sigurisht do të ishte shumë më e madhe nëse ato do të shiteshin vetëm një herë të vetme. Të njëjtën foto mund ta shesim dhjetëra herë dhe normalisht vlera e saj bie”, - tregon fotografi, teksa shton se ende tek ne nuk është stabilizuar tregu i fotografisë dhe i ekskluziviteteve.