E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, kapet me kokainë banda e studentit shqiptar

 

ITALI – Shqiptarët shfaqen sërish si protagonistë në trafikun e drogës në Itali. Policia italiane ka goditur dje një rrjet trafikantësh shqiptarë, të cilët operonin në Toskana, Emilia Romagna dhe Umbria. Plot 7 vetë, të gjithë shqiptarë, janë prangosur nga operacioni policor antidrogë në Siena, i cili bllokoi edhe 12 kilogramë kokainë. Sipas mediave italiane, të arrestuarit i përkisnin moshave nga 20 deri në 44 vjeç dhe ishin që të gjithë rezidentë të ligjshëm në Itali. “Në jetën e përditshme ishin studentë dhe punëtorë, por në pak muaj kishin siguruar një pjesë të konsiderueshme të tregut të shpërndarjes së kokainës në Toskana, Emilia Romagna dhe Umbria”, pohonin mediat italiane. Bëhet e ditur se nga operacioni policor janë sekuestruar 12 kilogramë kokainë, një pistoletë prodhim kroat, rreth 30 mijë euro kesh dhe dy autovetura. Sipas policisë së vendit fqinj, mendohet se kreu i grupit ka qenë 22-vjeçari O.B, i cili ishte student në Fakultetin e Infiermerisë në Siena. Dy persona të tjerë të të njëjtit rrjet janë arrestuar nga policia në Bolonja, më 10 tetor të këtij viti me 500 gramë kokainë. Mësohet se policia italiane kishte disa muaj që ishte nën vëzhgimin e anëtarëve të grupit. Duke kryer përgjime telefonike dhe ambientale kanë zbuluar se banda kishte krijuar një rrjet kontaktesh të një niveli ndërkombëtar. Katër ditë më parë operacioni policor “Shkodër” në Itali vuri në pranga 24 trafikantë droge, mes të cilëve 9 shqiptarë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›