Bulqizë, stoqet e kromit për shfrytëzim nga bashkia
BULQIZE/ HASAN PASHA
Ministria e Ekonomisë i jep të drejtën Bashkisë së Bulqizës për të shfrytëzuar dy prej stoqeve të kromit në qytet. Ky fakt pohohet nga kryebashkiaku Roland Keta, sipas të cilit në të ardhmen do të ketë më pak viktima. Disa herë pushteti vendor u ka kërkuar drejtuesve të shtetit, që të ndërhyjnë mbi ato stoqe që nuk janë në inventarin e shoqërisë “Albkrom”. “Ne mendojmë se këto mbetje mund e duhet të trajtohen nga njësia vendore, pasi vetëm ajo merr përgjegjësinë e mirëmenaxhimit të pronave lokale e ruajtjes së mjedisit”, theksohet në letrën e fundit drejtuar 3 muaj më parë. Sipas Ketës, ministrisë i është kërkuar shfrytëzimi i të gjitha stoqeve, që ndodhen në territorin e bashkisë, por që ditët e fundit u miratua kërkesa për 2 prej tyre. “Ky vendim kishte bazë ligjore. Stoqet ndodhen në territorin e bashkisë tonë. Kjo do të parandalojë aksidentet në stoqe, do të ulet varfëria, do të ketë më shumë të ardhura për njësinë tonë, do të rritet numri i të punësuarve, etj”. Ajo që kryetari i bashkisë veçon është ndalja e konflikteve mes firmave të ndryshme private dhe pretenduesve të pronësisë mbi tokën. Bazuar te vendimi i ministrisë, bashkisë i lejohet që të krijojë një shoqëri ose të kontraktojë me firma private për administrimin e stoqeve të kromit. Shoqëria do të ketë në krye këshillin mbikëqyrës dhe do të punësojë inxhinierë e specialistë, që do të menaxhojnë veprimet në terren të grumbullimit të kromit. Më pas, fitimet nga shitja e kromit do të shfrytëzohen për nevojat e bashkisë. Çka është më kryesorja, drejtuesit vendorë janë optimistë se në stoqet A e B nuk do të ketë më viktima. Ndërkohë, mësohet se firma ruso-austriake ka kundërshtuar vendimin e METE-s, duke aluduar se një pjesë e stoqeve në fjalë janë pronë e tyre, dhënë me koncesion nga qeveria shqiptare.
Në masivet e kromit, të krijuara prej vitesh në qytetin e Bulqizës, punojnë çdo ditë burra, gra e fëmijë, të cilët kanë rrezikuar dhe jetën gjatë kërkimeve të mineralit për ta shitur atë.