Irani liron me kusht gazetaren Saberi
Gazetarja iraniano-amerikane, Roxana Saberi, është liruar me kusht nga burgu në Iran gjatë seancës së apelit, për të cilin ishte bërë thirrje nga zyrtarët më të lartë të Iranit, pas thirrjeve të liderëve të BE-së dhe SHBA-së, që të kishte një mbrojtje të drejtë. Avokati i gazetares tha se një gjykatë apeli në Iran, ia ka ulur klientes së tij masën e dënimit për spiunazh nga tetë vjet, në lirim me kusht nga burgu për një masë dënimi dyvjeçare. Ai tha se gjykata ia kishte ndaluar znj. Saberi që të punonte si gazetare në Iran për pesë vjet, por shtoi se ajo do të lejohej që të largohej nga vendi. Saberi u dënua muajin e kaluar me tetë vjet burg për spiunazh. Ajo ka vuajtur rreth tre muaj e gjysmë burg në burgun Evin të Teheranit. Vendimi për lirimin e saj me kusht pason një seancë pesë-orëshe apelimi në fundjavë, gjatë së cilës avokatët thanë se u ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të paraqitur argumentet e tyre. Për kontrast, procesi gjyqësor ndaj saj para mbi një muaji kishte zgjatur më pak se një orë.