Biden: Kosova e pavarur - prioritet për SHBA
“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, kurse ruajtja e tërësisë territoriale të saj mbështetet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, - ka thënë dje në Prishtinë, nënpresidenti amerikan, Joseph Biden.
Gjatë një pritjeje të veçantë që Kosova ka organizuar për nënpresidentin amerikan, Biden, tha se ndihej i impresionuar me arritjet në Kosovë. Ai është pritur nga udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, si dhe ka mbajtur fjalim para Kuvendit.
Gjatë një takimi të përbashkët me presidentin, Fatmir Sejdiu, kryeministrin, Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe zyrtarë të tjerë vendorë, nënpresidenti Biden tha se ndihej shumë i lumtur që më në fund po vizitonte Kosovën e pavarur.
Ai tha se mbështeste autoritetet e Prishtinës për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe krijimin e një shoqërie shumetnike e demokratike. Mesazhe inkurajuese për përparimet në Kosovë, Biden më pas ka adresuar edhe nga foltorja e Kuvendit të Kosovës gjatë një seance solemne, të organizuar për nder të tij.
“Pavarësia e Kosovës, siç e thashë edhe në vendet që i vizitova, është absolutisht e pakthyeshme dhe mbetet opsioni i vetëm i mundshëm”, - tha Biden.
Para se të arrihej pavarësia, ai tha se kishte disa shqetësime në qarqet diplomatike. Biden tha se ka hasur në raste kur ndonjë diplomat ndërkombëtar i ka thënë atij se po sheh ëndrra, kur flet për pavarësinë e Kosovës. “Por, ja që kjo ëndërr që ishte e imja dhe e juaja, sot është realitet”, - tha Biden.
Nënpresidenti amerikan tha se tani të gjithë mund të binden se pavarësia ishte dhe mbetet zgjidhja e vetme.
“Një Kosovë e pavarur është prioritet për administratën tonë dhe për vendim tim dhe elementi kryesor në politikën tonë për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe, për herë të parë në histori, për të qenë të integruar tërësisht në Bashkimin Evropian”, - ka thënë Biden.
“Suksesi i Kosovës së pavarur është sukses edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, - tha ai. Me Kosovën e pavarur, nënvizoi Biden, është krijuar mundësia që ky rajon të jetë demokratik dhe i qëndrueshëm.
“Jemi të kënaqur që shumë vende e kanë njohur Kosovën, kurse pranimi i saj në FMN është tregues i pranimit të realitetit për një Kosovë të pavarur”, - u shpreh Biden.
Në vazhdim, nënpresidenti amerikan iu ka sugjeruar kosovarëve që të vazhdojnë përpjekjet për zhvillimin ekonomik, për sundimin e rendit dhe ligjit dhe luftimin e dukurive negative.
Ai tha se një Kosovë demokratike dhe e qëndrueshme ndikon edhe në demokratizimin dhe stabilitetin e rajonit. Biden i ka inkurajuar institucionet për zbatimin e planit të Ahtisaarit për organizimin e zgjedhjeve të lira e demokratike. Po ashtu, ai e ka inkurajuar edhe EULEX që të kthejë rendin dhe ligjin në pjesën veriore dhe kontrollin e doganave. Kurse nga kosovarët ka kërkuar angazhim për kthimin e komuniteteve në shtëpitë dhe pronat e tyre, si dhe serbët i ka ftuar të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës dhe praninë ndërkombëtare. Këto mesazhe, Biden tha se ua ka transmetuar edhe udhëheqësve serbë në Beograd.
“Kam kërkuar nga liderët e Serbisë që të përfundojnë embargon tregtare ndaj Kosovës dhe u kam thënë atyre se Kosova nuk mund të ndahet. Nuk mund të ndahet”, - ka theksuar Biden.
Ai tha se ia ka bërë krejtësisht të qartë Beogradit se mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës nuk do të ndryshojë. Ndërkohë, udhëheqësit e Kosovës e kanë cilësuar këtë si një vizitë historike dhe dëshmi për mbështetjen amerikane për Kosovën. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, e falënderonte qeverinë dhe popullin amerikan që iu gjetën Kosovës në çastet më të rënda të historisë së saj.
“Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ju falënderojnë nga zemra ju, qeverinë dhe popullin amerikan, që në çastet më të rënda të historisë sonë, na ndihmuat ta mbajmë gjallë shpresën tonë për jetë dhe liri”, - deklaroi Sejdiu.
Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se tani Kosova ka radhën që të dëshmojë se e ka merituar mbështetjen amerikane për pavarësinë e saj.
“Tani ka ardhur koha që ne, me punën tonë, t’u bëjmë juve të ndiheni krenarë çfarë ne bëmë në Kosovë. Ne tashmë kemi ndryshuar Kosovën, bashkërisht. Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe multietnik, një vend i mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. Është vend i mundësive afirmative për minoritarët”, - theksoi Thaçi.
Nënpresidenti Biden është nderuar nga presidenti Fatmir Sejdiu edhe me Medaljen e Lirisë. Vizita dyditore e nënpresidentit Biden në Kosovë ka pasuar raundin e tij diplomatik në Bosnjë dhe Serbi.