E Diel, 1 Nëntor 2026

G99: Policia Bashkiake e Kamzës dhunoi aktivistët tanë

Nga Tema

Lëvizja G99 deklaroi dje se disa vullnetarë të saj që po punonin në Kamzë janë dhunuar nga forcat e Policisë Bashkiake.

“Rreth orës 14.00 në qendër të Bashkisë, Kamzë, vullnetarët e G99 janë konfrontuar me pesë persona të veshur me uniformën e Policisë Bashkiake të Kamzës, të cilët kanë ushtruar dhunë psikologjike ndaj tyre, si dhe kanë shkatërruar tendën, në të cilën këta të rinj shpërndanin në mënyrë paqësore materiale të printuara të G99. Policët kanë shkatërruar materialet e tendës, kanë marrë publikimet dhe kanë kërcënuar vullnetarët duke i urdhëruar të largohen dhe mos të kthehen më”, - thuhet në një njoftim të G99.

Në lidhje me incidentin foli dhe një nga drejtuesit e G99, Arbjan Mazniku, që kandidon në qarkun e Tiranës.

“Qeveria po tregon që është e trembur nga ndryshimi, po tregon që nga frika po reagon në mënyrë të papërgjegjshme, është e gatshme të dërgojë një turmë policësh për të shkatërruar një tendë. Kjo është shenjë e dëshpërimit të kësaj qeverie, së cilës i kanë ngelur më pak se 35 ditë kohë. Berisha dhe administrata e tij e kuptojnë shumë mirë që ndryshimi vjen nga rinia dhe përdorin policinë për ta sulmuar atë. Rinia shqiptare do ta tregojë forcën e saj më 28 qershor pa uniforma dhe pa dhunë, por nëpërmjet votës së lirë”, - tha Mazniku.

Për këtë ngjarje ka dhënë variantin e saj dhe Policia e Shtetit. Sipas saj, vullnetarët e G99 janë përplasur me Policinë Bashkiake, pasi kjo e fundit deklaron se tenda e saj ishte vendosur pa leje.

“Përgjatë ditës së sotme (djeshme) përfaqësuesit e Lëvizjes G99 kanë vendosur në lulishten pranë qendrës së Kamzës një çadër, me synim shpërndarjen e disa ftesave për t’u anëtarësuar në këtë lëvizje. Në këto momente kanë mbërritur inspektorët e Policisë Bashkiake, të cilët kanë debatuar me përfaqësuesit e G99 për mosmarrjen e lejes dhe njoftim të mëparshëm pranë Bashkisë së Kamzës për vendosjen e çadrës në lulishte. Sqarojmë opinionin publik dhe mediet në tërësi, që në këtë debat konfliktual nuk janë përfshirë punonjës të Policisë së Shtetit. Strukturat e Policisë së Tiranës dhe më konkretisht Komisariati i Policisë Nr. 5, Tiranë, kanë mbërritur menjëherë pas këtij incidenti të ndodhur dhe kanë shoqëruar për sqarime të mëtejshme juristin e Policisë Bashkiake, si dhe përfaqësues së Lëvizjes G99”, - thuhet në deklaratën e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›