E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezistenca ligjore që iu bë vendimit që solli Gërdecin

Nga Tema

Kalimi i vendimit të qeverisë nr. 138, që do i hapte rrugën demontimit të armëve në Fabrikën e Vdekjes në Gërdec, ka hasur pengesa nga ministrat e zyrtarët e tjerë të qeverisë shqiptare, por shpejtësia e përdorur për kalimin e këtij vendimi nxjerr qartë në pah interesin e vetë kryeministrit për të nisur punë kjo kompani.

Shkresat ligjore, të sekuestruara nga Prokuroria e Përgjithshme në tri ministri të ndryshme, tregojnë se zyrtarët e nivelit të dytë kanë bërë rezistencë për mosmiratimin e këtij vendimi pa u bërë ndryshimet e duhura, por rezistenca e tyre është shpërfillur, sidomos në rastet kur vetë ministri ka qenë i interesuar për këtë çështje.

Ministria e Financave

I vetmi ministër që ka kundërshtuar ashpër projektvendimin, ka qenë ai i Financave, Ridvan Bode.

Ministria e Mbrojtjes ka dërguar dy herë shkresa për të marrë mendim për vendimin, dhe të dy herët është përballur me kritika të forta për projektvendimin.

Megjithëse ish-Ministri i Mbrojtjes deklaron se nuk ka patur një përgjigje për shkresën e parë, Ministria e Financave e ka dërguar këtë shkresë më datë 16.02.2007 dhe shpreh po ato rezerva që deklaron në mbledhjen e qeverisë Ridvan Bode.

Fillimisht, kjo ministri kundërshton faktin se nuk mund të vendosë Këshilli i Ministrave për një firmë, më pas kundërshtohet pika e vendimit që flet për dhënie të kontratës më prokurim të drejtpërdrejtë e po ashtu shprehen rezerva për faktin se nuk ka një faturë financiare për këtë kontratë.

Edhe kur bëhen disa modifikime në vendim, prapë Ministria e Financave ka një seri kundërshtimesh, më kryesorja lidhet me faktin se çmimet e shitjes do përcaktohen nga Ministria e Financave. Bode ka kërkuar që emri i tij të hiqet nga kjo pjesë e vendimit.

“Lidhur me pikën 1 të projektvendimit, nuk ka bazë ligjore paragrafi i fundit që përcakton që ministri i Financave miraton çmimin e vendosur nga komisioni për pajisjet, municionet dhe lëndët eksplozive të Forcave të Armatosura që do të shiten për përdorim ushtarak.

Për të njëjtën vërejtje do të konsistojmë dhe për kapitullin 2, paragrafi i fundit i pikës 2 për miratim çmimesh nga ministri i Financave tashmë për shitje për përdorim jo-ushtarak, pasi mendojmë që procedurat që duhen të ndiqen duhet të jenë të unifikuara me procedurat e shitjes së pronës shtetërore.

Në kapitullin 3 pika 2, keni parashikuar që për armët dhe pajisjet e Forcave të Armatosura që do të shiten për skrap si procedurë shitjeje të jetë ankandi, kur në dy kapitujt e parë keni parashikuar vetëm procedurë shitjeje ndaj kërkuesit më të parë.

Në kapitullin 4, pika 2 të hiqen fjalët, “miratim nga ministri i Financave i çmimeve të vendosura nga Komisioni mbi shitjen e municioneve për demontim dhe demilitarizim”, nga ndërmarrja MEICO me kontrata”, - thuhet në shkresë. Gjithashtu, sipas Ministrisë së Financave, nuk është përcaktuar sërish fatura financiare.

Ministria e Ekonomisë

Edhe në këtë ministri ka pasur një përplasje. Drejtoria e Politikave Tregtare është treguar e prerë në qëndrimin e saj se vendimi duhet t’i referohet një projektligji që parashikon shitjen e mallrave ushtarakë me përdorim të dyfishtë.

“Në lidhje me projektvendimin “Për procedurat e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi” mendojmë se, me qenë se Ministria e Mbrojtjes ka hartuar një ligj “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të materialeve ushtarake, mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë”, mendojmë se ky vendim nuk duhet të iniciohet mbi këtë bazë ligjore, por të iniciohet në përputhje dhe mbi bazën e këtij projektligji, i cili rregullon dhe përcakton procedurat dhe kërkesat që duhet të plotësohen nga subjektet për eksport-importin e mallrave ushtarake në përgjithësi, ku bëjnë pjesë edhe armët, teknika, pajisjet dhe municionet që hiqen nga përdorimi”, - thuhet në memon e kësaj drejtorie, e cila hidhet menjëherë poshtë nga Drejtoria e Politikave Juridike, që thotë se projektligji për këtë qëllim nuk ka kaluar në Kuvend. Megjithatë, Drejtoria e Politikave Tregtare këmbëngul që të pritet miratimi i këtij projekti.

“Drejtoria e Politikave Tregtare mendon që si bazë ligjore të përdoret projektligji “Për kontrollin shtetëror të import-eksportit të materialeve ushtarake, mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë”. Ky projektligj nuk është miratuar nga Kuvendi. Theksoj se objekti i këtij ligji, siç del dhe nga përmbajtja e titullit, rregullon marrëdhënie të tjera që nuk kanë të bëjnë me qëllimin e projektvendimit të paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes. Këto shpjegime iu bënë prezente Drejtorisë së Politikave Tregtare duke i sugjeruar që të mbeteshin me mendimin e Drejtorisë Juridike dhe Ministrisë së Mbrojtjes t'i kthehej përgjigjja se parimisht jemi dakord me projektvendimin”, - thuhet në memon e Drejtorisë Juridike.

Menjëherë pas kësaj përgjigjeje, Ruli i hap dritën jeshile projektvendimit të Mediut, duke e quajtur atë të rregullt.

Ministria e Drejtësisë

Është më i binduri në të gjithë procesin e ngritjes së Fabrikës së Vdekjes. Ministri i asokohshëm i Drejtësisë, Aldo Bumçi, jo vetëm që i raportonte direkt djalit të kryeministrit, por nuk kishte asnjë rezervë për projektvendimin e parë, i cili qartësisht implikonte Këshillin e Ministrave në këtë aferë. Sipas Bumçit, projektvendimi është në rregull.

“Në përgjigje të shkresës suaj nr. 495, datë 12.02.2007, më poshtë po ju paraqesim mendimet e Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me projektvendimin e dërguar “Për procedurën e çmontimit, demilitarizimit e të tjetërsimit të një sasie prej municioneve të Forcave të Armatosura, të dala nga armatimi e përdorimi, me kompaninë amerikane

“Southern Ammunition Company”.

Ju bëjmë me dije se jemi dakord me projektvendimin e hartuar për motivet e përcaktuara në relacionin e dërguar. Gjithsesi, e shohim me vend të japim sugjerimet si më poshtë: Të përcaktohet në mënyrë të detajuar se mbi çfarë kriteresh ligjore jeni mbështetur në përzgjedhjen e kompanisë amerikane “Southern Ammunition Company”, - thuhet në shkresën e Bumçit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›