Dëshmia e përgjegjësit të Gërdecit: Baxhanaku i Berishës sillej si drejtor i Fabrikës
Gazeta “TemA” vijon sot zbardhjen e dëshmive për tragjedinë e rëndë të Gërdecit dhe aktorët e implikuar në të.
Veiz Muça, që njihej më emrin Vangjeli, ishte numri 2 i Fabrikës së Vdekjes, pas Dritan Minxollit që ishte drejtori i saj. Në dëshminë e tij, Muça flet dhe për Grupin Hije, grup që sipas tij nuk i përket as kompanisë “AlbaDemil” dhe as ndërmarrjes MEICO. Muça nuk di të thotë se kujt i përket ky grupim, por dëshmitë e mëparshme të botuara në gazetën “TemA” tregojnë se ai është grupi i Rrahman Selmanllarit, që është përfaqësuesi i kompanisë SAC në këtë aferë dhe miku i ngushtë i Shkëlzen Berishës. Në këtë grup përfshihen njerëz të afërt të Selmanllarit, e gjithashtu në grup është dhe Muhamet Hoxha, i cili është baxhanaku i kryeministrit, Sali Berisha.
Është për t’u theksuar se të gjitha dëshmitë e tregojnë Muhametin si një njeri që bënte rolin e kapadaiut në këtë ndërmarrje. Edhe pse nuk kishte një post në këtë fabrikë, ai sillej sikur të ishte vetë drejtori. Një detaj i Veiz Muçës nxjerr në pah se Muhamet Hoxha nuk e përfillte madje as drejtorin Minxolli dhe ishte i gatshëm të bënte sherr më të. Vetë Dritan Minxolli nuk guxonte të përballej më të. Se kush ia jepte këtë pushtet Hoxhës, punëtorët nuk e dinë, por në dëshmitë e tyre ata thonë se ai u tregonte që kishte lidhje mjaft të forta, madje kishte lënë Anglinë për të punuar më mirë në Shqipëri. Kjo rrëzon të gjitha pretendimet e familjes kryeministrore se ai ngarkonte arkat më municion, kur në fakt ai thjesht i numëronte, e madje dhe këtë gjë e bën më përtesë.
“Muhamet Hoxha, ky shtetas ka filluar punë diku nga fundi i janarit 2008. Edhe këtë shtetas e kam parë të punojë gjatë kontratës së dytë, më grupin e Seran Maçit, pra as në ndërmarrjen MEICO dhe as në firmën “AlbaDemil”. Ky shtetas vinte në punë me një makinë “Fiat”, më ngjyrë blu, më targa Tirane. Në lidhje më këtë shtetas ju sqaroj se në një rast Muhameti po lante makinën në vendin ku linte makinën Dritani. Dritani e pa dhe më ka thënë mua personalisht: “... po nuk e hoqi ai makinën për pesë minuta (për Muhametin), atëherë je i pushuar nga puna”. Kur unë ia thashë këtë gjë Muhametit, prezent aty ka qenë dhe Haxhi Mara, i cili i tha Muhametit që ta hiqte makinën që të mos bëheshim më llafe”, - thotë Muça në dëshminë e tij.
Është për t’u theksuar se prokuroria nuk ka hetuar më tej për Grupin Hije, edhe pse shumë nga dëshmitë e punonjësve e drejtuesve të kësaj fabrike flasin për rolin e veçantë të tyre.
Më poshtë vijon dëshmia e përgjegjësit Veiz Muça. Muça thotë se brenda një dite vinin 50 kamionë të ngarkuar në fabrikë. Ai rrëfen detaje të tjera shumë të rëndësishme e tregon se u kishte thënë punëtorëve që, nëse do ndodhte shpërthimi, Porti i Durrësit do vinte në Gërdec, aq shumë barut dhe municione ishin grumbulluar aty.
Muça zbardh dhe të tjera fakte që e lidhin Gërdecin me trafikun e armëve përmes Rinasit. Ai thotë se ka qenë njëherë në Rinas me Dritan Minxollin dhe shpjegimi i Muçës lë të kuptosh që ai ka qenë pikërisht në zonën ku bëhej zbrazja e kutive metalike me fishekë dhe ngarkimi në kuti kartoni.
Muça thotë se Minxolli madje paguante punonjësit e Rinasit për punën që bënin
Kur jeni njohur për herë të parë më shtetasin Mihal Delijorgji dhe në ç'rrethana?
Kur kam ardhur nga Greqia në gusht të vitit 2005, kisha prenotuar një apartament në pallatin ku banoj tani në Tiranë, në krah të pallatit, po ndërtohej një pallat tjetër, pronari i të cilit më sa mbaj mend ishte nga Përmeti, më mbiemrin Malaj. Në këtë pallat unë kam vajtur për të kërkuar punë. Aty unë kam punuar si hekurkthyes, sipërmarrësi ishte nga Shëngjergji dhe quhej Artan Ruçi, pas mbarimit të pallatit, kemi vajtur në Golem të Kavajës, ku kemi bërë rreth 8 pallate. Pas mbarimit të kësaj pune jam kthyer në Tiranë, pasi ngela pa punë fillova të kërkoja punë dhe konkretisht kam vajtur tek zona e ish parkut bëhej një kompleks pallatesh, më pronar shtetasin Mihal Delijorgji, aty kam takuar një sipërmarrës, të quajtur Pandeli, mbiemri nuk më kujtohet, i kam kërkuar punë si hekurkthyes dhe ai më mori në punë, aty kemi bërë tre pallate, pas një farë kohe, në vend të Pandeliut, ka ardhur si sipërmarrës shtetasi Dritan Minxolli, për të cilin mësova se ishte djali i xhaxhait të gruas së Mihal Delijorgjit. Në atë periudhë une e kam pare se kush ishte Mihal Delijorgji. Pas mbarimit të punës në atë pallat, unë jam larguar dhe kam filluar punë në një pallat tjetër si hekurkthyes. Rreth datës 15.06.2007, mua më ka marrë në telefon shtetasi Dritan Minxolli, i cili më ka propozuar që të lija punën e hekurkthyesit dhe të shkoja për të punuar në Gërdec, si brigadier punëtorësh në një firmë ku ai punonte. Më datë 28.06.2007, unë kam vajtur në Gërdec, ku jam takuar më Dritanin dhe aty kam parë se çfarë pune bëhej në atë ndërmarrje. Konkretisht puna kishte filluar kur kam vajtur unë, aty kam parë shumë arka më municion të shkarkuara. Municioni ishte i prodhimit rus, kinez dhe i vendit, më shumë kishte municion kinez.
Aty ishte një brigadë demontimi më rreth 45 punëtorë.
Aktiviteti zhvillohej në një ish repart ushtarak, ku territori i tij ruhej nga një firmë private, më president Begator Manaj, fillimisht ishin tre vendroje dhe më pas kaluan në katër vendroje. Vendrojat ishin të pozicionuara, njëri tek hyrja kryesore, një ishte tek fundi i kapanonit dhe i treti ishte depot, i cili bënte patrullim, më pas u shtua dhe vendroja e katërt, tek hyrja e dyte, i cili quhej postblloku dy. Begatori u shkëput nga firma jonë, pasi disa herë në ja kishim gjetur rojet në gjumë dhe për këtë u zëvendësua më firmën Vrana. Puna zhvillohej në tre vende. Konkretisht municioni më fishekët shkarkohej tek fusha e madhe, tek fusha e vogël dhe në një fushë poshtë zyrave, më qëllim për të krijuar front pune për punëtorët. Aty vinin makinat ushtarake, të cilat shkarkonin arkat dhe largoheshin. Numri i makinave mund të arrinte deri në 50 në ditë.
Çdo grup, kishte si mjete pune, dara, levë, sqepar, si dhe disa vare, po ashtu kishin karroca dhe thasë për të futur letrat. Procesi i punës ishte i tillë, hapej kapaku i arkës më levë, ose sqepar, hapeshin kutitë metalike më anë të darëve, hiqeshin fishekët nga krehrat dhe hidheshin në një arkë tjetër bosh dhe çoheshin në fabrikë, për të kaluar në procesin e çmontimit tek makineritë brenda kapanonit. Kutitë metalike të prodhimit të vendit, nuk kishin gjuhëzën hapëse, kështu që ato mblidheshin në paleta dhe çoheshin për t’u prerë më sharrë.
Gjatë këtij procesi ka pasur raste që kanë plasur fishekë, por pa krijuar probleme.
Cili ishte pozicioni juaj në krahasim më shtetasit Dritan Minxolli dhe specialistëve të tjerë?
Në programin e dytë në radhë hierarkike, unë vija pas drejtorit Dritan Minxolli, për nga kompetencat, ndërsa në programin e parë unë isha brigadier demontimi, ku kontrolloja procesin e hapjes së arkave deri në dërgimin e municionit në fabrikë.
A keni pasur një rregullore të sigurimit në punë më lëndët plasëse dhe eksplozive, të shkruar dhe të miratuar nga institucionet përkatëse, e cila t’u lexohej punonjësve? Nëse po, kush ua lexonte këtë rregullore punëtorëve?
Jo, në nuk kishim një rregullore të tillë, ose të paktën unë personalisht nuk e kam parë dhe nuk jam njohur më një rregullore të tillë. Di se në çdo fillim muaji, drejtori Dritan Minxolli, përpilonte një fletë të thjeshtë formati, më përmbajtje “Kompania “AlbaDemil”, e vendosur në Gërdec të Vorës, udhëzon në bazë të rregullores të sigurimit teknik, që punëtorët të kishin kujdes në punë”. Për momentin kjo më kujtohet, kjo fletë ishte shkruar deri në mes të saj, më pas punëtorët, dhe si ata edhe unë, e firmosnim këtë fletë. Mund t’u them se këto fletë ishin disa, ato i merrte financierja e firmës Valbona dhe i çonte tek zyrat e firmës tek ish-parku.
Çfarë marrëdhëniesh keni pasur më shtetasin Dritan Minxolli?
Unë më Dritanin kam pasur marrëdhënie normale, pasi siç kam mësuar më vonë, para se Dritani të më merrte mua në telefon kishte marrë dhe disa shokë të mitë që kishim punuar bashkë si hekurkthyes, por ata nuk kishin pranuar që të punonin aty.
A keni pasur kontratë pune, më shoqërinë “AlbaDemil”?
Jo, unë nuk kam pasur kontratë pune më këtë shoqëri.
Na sqaroni në lidhje më personat që kanë qenë prezent gjatë procesit të parë, përveç përgjegjësve dhe punëtorëve si dhe çfarë përfaqësonin këta persona?
Di t’u them se Mihal Delijorgji ka ardhur rreth dy-tre herë në muaj gjatë projektit të parë, ai merrte kontakt më Dritanin dhe shikonte çdo proces pune që zhvillohej aty. Po ashtu, gjatë gjithë kohës kanë qenë prezent 6 persona, të cilët quhen Seran Maçi, Haxhi Mara, Endri Osmani, Nazmi, mbiemri nuk më kujtohet, Bernard, mbiemri nuk më kujtohet dhe Klejdi, mbiemri nuk më kujtohet. Ju sqaroj se këta persona unë nuk e di se çfarë përfaqësonin, por di t’u them se ata merreshin më evidentimin e sasisë dhe të llojit të municionit që hynte në ndërmarrje. Ju sqaroj se ata rrinin tre veta deri në orën 07.00 të darkës dhe tre të tjerët rrinin deri të nesërmen në mëngjes.
Na sqaroni në lidhje më procesin e punës gjatë projektit të dytë, personat që kanë qenë prezent dhe çfarë kanë përfaqësuar këta persona?
Projekti i dytë ka filluar rreth datës 05.01.2008, ku fillimisht kanë ardhur tre kamionë ushtarakë, më modelet e predhave që do të çmontoheshin, konkretisht të kalibrave 20mm, 23mm, 25mm, 30mm, 37mm, 45mm, më pas janë sjellë predha artilerie të kalibrave, 100mm, 122mm obuz, 122mm top, 130mm, 152mm obuz, 152mm top. Mbaj mend që aty ka ardhur Mihal Delijorgji i shoqëruar më një shtetas të quajtur Sokol Ngjeci, i cili demonstroi mënyrën e demontimit të predhave. Prezent kam qenë unë, disa punëtorë, Dritani, shoferët e ushtrisë, Seran Maçi dhe Haxhi Mara. Nga data 15.01.2008, filloi furnizimi i ndërmarrjes më municionet e mësipërme. Dua të shtoj se në ndërmarrje ka ardhur rreth dy herë dhe ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari. Konkretisht, koha e saktë se kur ka ardhur ai nuk më kujtohet, di t’u them se herën e dytë që ai ka ardhur ka qenë projekti i dytë, ku atë e ka ndaluar roja që të futej brenda.
Fillimisht aty kanë ardhur predha 100mm, të cilat u vendosën afër hyrjes së kapanonit dhe u ndalua ardhja e tyre, pasi nuk ishin përgatitur kushtet për ta demontuar atë lloj predhe, deri në momentin që në hyrje të kapanonit mbrapa fabrikës, krahu i poshtëm, një nga punonjës i quajtur Kujtim, bën një mur betoni, me gjerësi 70-80cm dhe gjatësi 10m, në të cilin në çdo 1m, ishte vendosur një tub hekuri në madhësinë e kalibrit 100mm, ku futej maja e predhës deri në afërsi të gëzhojës dhe gëzhoja ngelej nga mbrapa në ajër. Më pas, më anë të një hinke më një krah metalik, më anë të forcës hiqej gëzhoja, më pas gëzhojat çoheshin në fund të kapanonit, ku ju hiqej baruti. Predhat që ishin thërrmuese çoheshin tek hyrja e kapanonit nga ana e jashtme, ose e brendshme, ku laheshin më naftë. Më pas ato ngarkoheshin në kamionët e firmës “AlbaDemil” me fadromë dhe çoheshin në Uzinën e Gramshit, ku siç mora vesh më mbrapa atyre ju hiqej lënda plasëse nëpërmjet avullit. Këto predha më pas janë sjellë përsëri në ndërmarrje deri në një marrëveshje për shitjen e tyre. Me predhat 100mm blindëshpuese, ato demontoheshin nga i njëjti grup, por në prezencën e një specialisti, konkretisht aty punonte Petrit Behari, i cili mbante predhën dhe drejtonte punëtorin si ta lëvizte gëzhojën, më qëllim që të mos prekej djegorja fundore. Pas kësaj, predhat vendoseshin në arka të vogla, ku ato mbanin tre predha dhe grumbulloheshin në një cep, pranë portës së fushës së madhe, ku ishte vendosur një tavolinë konstruksion hekuri, mbi të cilën ishin salduar rreth 10 tuba hekuri më një gjatësi rreth 20-30cm, me një fiksuese, ku futeshin predhat 100mm, fiksoheshin dhe më anë të dy çelësave, ju çmontohej djegorja. Aty punonin specialistët, por zakonisht ka punuar Zabit Çuku. Po ashtu edhe këto predha çoheshin në Gramsh. Në lidhje më predhat e tjera, ju sqaroj se ato ishin ndryshe nga ato 100mm, ku predha ishte më vete, djegorja më vete dhe gëzhoja me barut më vete, kishte raste që predhat ta kishin dëmtuar djegoren dhe ato dërgoheshin tek tavolina ku ju bëhej çmontimi i tyre.
Grupet e tjera të punës merreshin më hapjen e arkave, nxjerrjen e djegores dhe të predhës dhe pastaj punonin në nxjerrjen e barutit, i cili futej në thasë sipas llojeve të tij, që përcaktohej nga specialistët, thasët ishin material plastik më turrje, ata mbanin minimalisht 25 kg barut. Aty punonin edhe shtetasin Jualian Pando, i cili merrej më regjistrimin e targave të makinave që vinin, llojet e municionit që vinte dhe më grupet e punës së punëtorëve të shkarkimit. Rreth fundit të janarit, aty ka ardhur një fadromë e ushtrisë, emri i shoferit të saj nuk më kujtohet, e cila bënte transportimin e predhave pa djegore, nga fusha ku punonin punëtoret në një fushë tjetër afër kontejnerëve dhe pasi aty u mbush vendi filloi të grumbullonte tek lugina mbi zyrat e komandës së ish repartit ushtarak. Rreth datës 05.02.2008 u ndërrua fadroma, së bashku më drejtuesin e saj, shoferi i fadromës së dytë është njëri prej viktimave të shpërthimit Ilirjan Malçi. Po ashtu, edhe gjatë projektit të dytë kanë qenë prezent 6 personat, ku njërin prej tyre, Endri Dvorani filloi të punonte si ekonomist në firmën tonë.
Çfarë makinerish u sollën nga amerikanët që të jenë përdorur në programin e dytë?
Në programin e dytë nuk është sjellë asnjë makineri.
Thatë që keni filluar punë në ndërmarrjen e Gërdecit rreth datës 28 ose 29 qershor 2007. Kur ju keni filluar punë në këtë ndërmarrje, ambientet e saj ruheshin më ushtarë apo më roje private?
Mbaj mend se që kur kam filluar unë punë, ambientet e repartit ruheshin më roje private, fillimisht aty kanë ardhur 4 kapterë ushtrie, të cilët vinin në mëngjes dhe largoheshin, pa kryer ndonjë lloj shërbimi. Mbaj mend që ata ishin thjesht më uniformë, pa pasur armatim, qoftë personal, qoftë shërbimi.
Kush i ka marrë në punë punëtorët dhe mbi ç'kritere janë marrë në punë këta punëtorë?
Marrjen në punë të punëtorëve e bënte Dritani, në lidhje më kriteret për marrjen në punë të tyre, ju sqaroj se kishte ndonjë kriter të veçantë. Në mëngjes, kur Dritani nuk kishte ardhur akoma, sipas porosisë së tij me telefon, unë dilja tek dera ku fusja punëtorët dhe ju caktoja vendin e punës ku do të punonin.
A keni konstatuar ju shkelje të rregullave të sigurimit teknik gjatë punës në ndërmarrje?
Po, unë kam konstatuar shkelje të rregullave të sigurimit teknik, si hedhje të predhave nga një lartësi e konsiderueshme, njëherë Besim Canga, kishte kapur dy djem duke pirë duhan tek vendi ku depozitoheshin djegoret, për momentin nuk më kujtohen raste të tjera.
A ju janë ankuar specialistët, për shkelje të rregullave të sigurimit teknik në punë? Nëse po, ku janë ankuar, çfarë masash janë marrë dhe nga kush?
Mua më është ankuar më sa mbaj mend Viktor Nikolli ose Besim Canga, për punëtorin Kadri Meçe, i cili kishte qenë ushtarak më parë dhe punonte si punëtor demontimi, pasi ky person hidhte predhat nga lart. Unë disa herë i kam tërhequr vëmendjen, derisa e kam larguar nga puna, por ai është rikthyer pranë më urdhër të Dritanit. Kur unë i kam thënë arsyen se pse e kisha larguar, Dritani më ka thënë se do ta sqaronte ai këtë problem, po ashtu më është ankuar dhe një punëtor, emrin e të cilit nuk e mbaj mend, për një punëtor tjetër, i cili pinte duhan tek depot e barutit. Edhe këtë person unë e kam nxjerrë jashtë. Në një rast ka ndodhur që Dritani ka larguar një punëtor nga puna pasi ai në mënyrë të vazhdueshme kishte vjedhur gëzhoja të kalibrit 14.5 mm të prodhimit kinez.
Çfarë masash për mbrojtje nga zjarri kishte në ndërmarrje?
Aty kishte kazma, lopata, fuçi më rërë dhe ujë, ishin rreth 7 bombola zjarrfikëse të përmasave 50cm, ishte një bombol më e madhe zjarrfikëse në hyrje të kapanonit dhe tre bombola zjarrfikëse 50cm, tek depot e barutit.
A mendoni se ishin të mjaftueshme këto masa që ishin marrë për fikje të zjarrit në raste aksidenti?
Personalisht mendoj se masat kundra zjarrit në programin e dytë ishin të pamjaftueshme, pasi për mendimin tim duhej të kishte zjarrfikëse autobot stabël. T’u them të drejtën këtë mendim nuk ia kisha shprehur Dritanit. Dua të shtoj se unë kam biseduar më specialistët që punonin aty dhe ju kisha thënë se po të ishte për mua, që kisha mbaruar një shkollë ushtarake, nuk do të punoja në punën që ata po punonin dhe nëse do të ndodhte ndonjë shpërthim, do të ishte një katastrofë e madhe.
Kush e bënte instruktimin e punëtorëve dhe në ç'mënyrë e bënte?
Punëtorët rreshtoheshin në sheshin e punës dhe ata instruktoheshin nga specialistët, ku iu thuhej për kujdesin që duhej të tregonin gjatë punës, po ashtu këta specialistë ishin gjithmonë në krye të grupeve të punës.
Specialistët që punonin më demontimin e predhave, a kishin një rregullore të shkruar, me anë të së cilës të bënin instruktimin e punëtorëve?
Jo, ata thjesht ju flisnin në bazë të njohurive të tyre ushtarake.
A kanë punuar persona të mitur në këtë ndërmarrje, në të dyja programet?
Në programin e parë kanë punuar dhe persona të mitur, ndërsa në programin e dytë nuk kanë punuar. Në programin e parë të miturit kanë punuar në demontimin e kalibrit 7.62 mm dhe në paketimin e barutit në kutitë e kartonit, të cilat mbanin 20kg barut. Mosha e tyre ka variuar nga 15-18 vjeç.
A ka pasur raste që punëtorët e ndërmarrjes të zëvendësoheshin nga pjesëtarë të tyre të familjes, për shkaqe të ndryshme?
Po, raste të tilla ka pasur. Zëvendësimi i këtyre punëtorëve bëhej nga unë dhe Dritani ka pasur dijeni për këtë proces, pasi ai i shikonte vetë punëtorët dhe i njihte.
A bëhej instruktimi i këtyre punëtorëve të rinj dhe nga kush bëhej?
Këtyre punëtorëve nuk ju është bërë instruktim.
Me çfarë transportoheshin arkat më municion, thasët e barutit dhe gëzhojat, brenda shesheve dhe në kapanon?
Arkat më municion nuk transportoheshin, por sistemoheshin në fushat e sipërpërmendura dhe demontoheshin në vend. Për transportin e thasëve të barutit dhe të gëzhojave, përdoreshin disa karroca hekuri, të cilat kishin një pllakë metalike më përmasa rreth 70X30cm dhe 70X50cm, në cepat e tyre nga poshtë ishin të fiksuara më vidhosje katër rrota hekuri, të veshura më gomë nga jashtë.
A dëmtoheshin këto karroca gjatë punës, nëse po ku dëmtoheshin?
Po, karrocat dëmtoheshin, pasi atyre ju këputej bishti në pjesën ku bashkoheshin më bazamentin e karrocës, ose ju prishej pjesa e gomës së rrotave.
Si vepronit më karrocat e dëmtuara?
Karrocat e dëmtuara saldoheshin dhe futeshin përsëri në punë. Karrocat e dëmtuara para se të fillonte programi dytë u vendosën në gatishmëri pune, për zhvillimin e programit të dytë, karrocat janë salduar aty në ndërmarrje para se të fillonte puna. Problemi i dëmtimit të karrocave ishte i përditshëm, kështu që karrocat e dëmtuara më urdhër të Dritan Minxollit saldoheshin tek shtëpia e Qemal Deliut, saldimet i bënte edhe vetë Qemal Deliu, por edhe djali i tij Jetmir Deliu, unë personalisht nuk e kam parë se ku ishte saldatriçja saktësisht, por di t’u them se ai e kishte saldatriçen në oborrin e shtëpisë. Di në një rast që Dritani i ka dhënë një tufë më elektroda saldimi Qemal Deliut. Po ashtu saldim ka bërë dhe shtetasi Albert Duka që punonte më pirunin.
Ditën e ngjarjes unë kam dhënë urdhër që baruti që ishte grumbulluar në fushën e madhe, të futej brenda në kapanon, pasi koha dukej si për të rënë shi, kështu që grupet e punës që ishin në shesh të 122mm top, filluan të transportonin barutin më karroca brenda në kapanon, në vendin e caktuar. Rreth 5 ose 10 minuta para shpërthimit, unë, së bashku më Dritan Minxollin, kemi dalë nga ndërmarrja, nga hyrja kryesore, më qëllim që të shkonim për të ngrënë bukë, pasi Dritani këmbënguli që unë të shkoja më të. Ne kemi ikur më makinën time, të cilën e ngiste Dritani.
Në momentin kur keni dalë nga ndërmarrja, keni parë që të dalin karroca të dëmtuara ose të kenë hyrë karroca të riparuara në derën kryesore të ndërmarrjes?
Jo, unë nuk mbaj mend që ta kem parë një gjë të tillë.
Në momentin që ju keni dalë së bashku më Dritan Minxollin nga ndërmarrja, punëtorët po vazhdonin punën apo ishin ulur për pushimin e drekës?
Di t’ju them se kur unë kam ikur për të marrë makinën, punëtorët i kam lënë duke transportuar barut, kur kam dalë me makinë nuk i kam parë, pasi pamja më bllokohej nga llamarinat e rrethimit të sheshit. Di tu them se unë ju kam thënë punëtorëve që të fusnin barutin brenda dhe pastaj të uleshin për të ngrëne bukë, kështu që mendoj se ta duhet të kenë qenë duke transportuar përsëri barut, pasi në shesh kishte një sasi të konsiderueshme baruti.
Sa grupe pune kanë qenë duke punuar atë ditë, në shesh?
Aty mund të kenë qenë 18-20 grupe pune, më nga 3-4 persona çdo grup.
Cili është mendimi juaj, nga se mund të ketë ardhur shpërthimi?
Mund t’ju them se mundësitë janë të ndryshme, një prej tyre mund të jetë fërkimi i rrotave të karrocave më barut të zi, i cili mund të jetë derdhur në tokë, pasi qeset prej bezeje, që e mbanin këtë barut ishin të vjetruara dhe kishte raste që çaheshin dhe baruti derdhej, një mundësi e dytë mund të jetë një goditje pa dashje e kapsollës se gëzhojave, që ka iniciuar gjithë flakën dhe një mundësi e tretë mund të jetë dhe ndonjë djegore, që mund të ketë renë nga një lartësi e konsiderueshme, duke shkaktuar plasje, shkak tjetër mund të ketë qenë dhe ndonjë punëtor i papërgjegjshëm që ka pirë duhan aty në vend dhe një shkak tjetër mund të jetë ndonjë karrocë e salduar në shtëpinë e Delive.
A keni dijeni nëse kompania “AlbaDemil”, kishte ndonjë pikë tjetër pune, si për shembull në Vorë, në Prezë, Rinas, Durrës ose Kavajë?
Po, unë kam dijeni se kjo firmë kishte një pikë tjetër në Rinas dhe në Shkozet. Njëherë unë kam shkuar së bashku më Dritanin në Rinas, ku aty ishte një repart ushtarak ku hyrja ishte vetëm më leje. Por Dritani është futur pasi njihej me ta, dhe po ashtu më ka futur dhe mua brenda, aty ishte një përgjegjës më emrin Seit, mbiemrin nuk ia di, i cili ishte nga Fieri. Po ashtu gjate një ditë pune, në Gërdec kanë ardhur disa punëtorë të Rinasit, të cilët donin të takoheshin më Dritanin, pasi donin të merrnin lekët për punën që kishin bëre. Në lidhje më pikën e Shkozetit, aty bëhej grumbullimi i skrapit.
Në momentin që keni hyrë në pikën e shoqërisë “AlbaDemil”, në Rinas,a keni parë se sa punëtorë mund të kishte aty dhe çfarë pune bëhej në atë repart?
Në momentin që kam vajtur unë aty, nuk kryhej asnjë proces pune dhe më sa kam parë unë, kishte rreth 15 punëtorë, po ashtu kam parë se ishin disa paleta të ngarkuara, të cilat ishin të mbledhura më plastmasë. Në një moment kam dëgjuar që Dritani e ka pyetur Seitin nëse ishte ngarkesa gati dhe Seiti i është përgjigjur se ngarkesa ishte gati, po ashtu kam parë arka municioni si dhe kuti fishekësh prej llamarine, ju sqaroj se arkat e municionit dhe kutitë e llamarinës ishin për fishekët 7. 62mm, me sa kam parë unë, kutitë e llamarinës ishin të hapura më gjuhëz, gjë që tregon se fishekët ishin prodhim i huaj dhe jo shqiptar, pasi siç ju kam sqaruar, kutitë metalike më fishekë të prodhimit shqiptar ishin pa gjuhëz dhe hapeshin duke i sharruar nga fundi.
Kur ka ndodhur që ju keni shkuar më Dritanin në pikën e Rinasit?
Unë më Dritanin kemi shkuar në Rinas gjatë projektit të parë.
Ç'mund të na thoni në lidhje më barutin e grumbulluar nga projekti i parë dhe nga projekti i dytë?
Ju sqaroj se në pjesën perëndimore të repartit ishin tre depo, nga të cilat dy ishin me barut nga kontrata e parë, ku njëra ishte më barut 7.62 mm dhe tjetra 12. 7mm, ndërsa baruti i 14.5 mm ishte tërhequr nga firma amerikane, depoja e tretë ishte e mbushur mbi mesin e saj më arka më djegore nga projekti i dytë. Ndërsa katër godinat që ishin pa mure dhe pa çati ishin më arka boshe. Në mes të sheshit që ishte përpara depove ishin vendosur 19 kontejnerë normalë më barut 7.62 mm dhe 12.7 mm nga kontrata e parë, po ashtu ishin dhe 4 kontejnerë të mëdhenj, ku njëri prej tyre mbante sa dyfishi i një kontejneri normal edhe këta kishin barut nga kontrata e pare. 14 kontejnerë normal ishin me barut nga kontrata e dytë, ngjitur me kontejnerët kishte disa arka më predha, rreth dy makina, të cilat ishin më djegore fundore të montuar të prodhimit rus. Pjesa e luginës deri tek zyrat e ish repartit ushtarak ishte e mbushur me predha thërrmuese, më tapë bakeliti, pa iu hequr lënda plasëse, po ashtu edhe fusha pas kontejnerëve ishte më predha, të cilave nuk ju është hequr lënda plasëse.
Në pjesën veriore të repartit, ishte një godinë më dy kate, ku ishin vendosur kuti kauçuku, tel plumbi, parafine dhe një dhomë ishte më barut. Një kontejner normal mbante 13 ton barut, ndërsa një kontejner i madh mbante 25 ton barut. Në lidhje së sasinë e barutit të kontratës së dytë, nuk e di se sa mbante një kontejner, pasi më ata merrej Endri Dvorani. Në lidhje më sasinë e barutit që është ndodhur në depo, ju sqaroj se atë e di më mirë një përgjegjës më emrin Faja, mbiemrin nuk ia di, di që ai është nga Vora, më parë ka punuar në ushtri dhe në fund kishte punuar në polici, ai është i moshës rreth 50-52 vjeç, ky person është marrë më transportin dhe sistemimin e barutit në këto depo.
Cili është mendimi juaj, a ishte e përshtatshme teknologjia që përdorej për demontimin e predhave?
Nuk mund të jap mendim të saktë, por më sa kuptoj mjetet ishin primitive, po ashtu kushtet e punës dhe të ambientit rreth e rrotull ishin të papërshtatshme për zhvillimin e atij procesi dhe si gjithmonë kam pasur parandjenjën se do të ndodhte ndonjë aksident.
A e keni perceptuar rrezikun e ndonjë fatkeqësie në atë ndërmarrje?
Unë e kam perceptuar rrezikun e ndonjë fatkeqësie dhe ju jam shprehur punëtorëve dhe specialistëve, që nëse ndodhte ndonjë fatkeqësi, porti i Durrësit do të vinte në Gërdec, si shkak i grumbullimit të madh të barutit, predhave dhe djegoreve. Ju sqaroj se dy ditë para shpërthimit, rreth orës 19.30, jam nisur për të dalë që të shkoja në shtëpi, në një moment kam parë sasinë e madhe të predhave dhe të barutit dhe mendova që të flija në ndërmarrje, pasi nuk kisha siguri tek rojet që ruanin ndërmarrjen, kështu që vendosa të qëndroja vetë, që rojet të mos kishin mundësi të flinin duke menduar që ishte njeri nga përgjegjësit në ndërmarrje. Siç u thashë dhe më lart rreziku ishte shumë i madh dhe i përhershëm.
Kur e keni ndjerë këtë rrezik, pse nuk jeni larguar nga ajo punë?
Arsyeja që unë nuk jam larguar nga ajo punë, ishte vetëm për shkak të rrogës që unë merrja, pra nevoja ekonomike mua më ka mbajtur në punë.