E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biden në Kosovë, Berisha: Ngjarje e madhe për shqiptarët



Një ngjarje e madhe që rikonfirmon vazhdimësinë e mbështetjes së SHBA-së ndaj Kosovës. Ky është vlerësimi që i bëri dje Kryeministri shqiptar Sali Berisha vizitës së zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, në Kosovë. Zëdhënësja e Kryeministrit, znj. Juela Meçani, në emër të z. Berisha deklaroi: “Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miku i madh i kombit shqiptar dhe lirisë së tij, zhvillon një vizitë historike në Kosovën e pavarur. Sipas saj, kjo përbën një ngjarje të madhe kulmore në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; përbën një mbështetje të fuqishme për Kosovën në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të demokracisë të bazuar në vlerat e tregut dhe për kontributin e saj si një faktor themeltar për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, vlerëson se turi i zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Joe Biden, në vendet e rajonit është një ngjarje e madhe si për ato vende që zëvendëspresidenti Biden vizitoi, por edhe për mbarë vendet e rajonit, është një rikonfirmim i ndihmës dhe mbështetjes së vyer të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Barack Obama, dhe administratës së tij. Kjo vizitë është një mbështetje dhe inkurajim i fuqishëm për të gjithë popujt e rajonit për të shkruar një kapitull të ri bashkëpunimi dhe miqësie të historisë së tyre evropiane dhe euroatlantike”, - tha znj. Juela Meçani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›