Siguria, Adriatik 5 mblidhet në Tiranë
Karta e Adriatik 5 diskuton në Tiranë kontributet e përbashkëta të vendeve pjesëmarrëse në misionet paqeruajtëse në botë. Shefat e shtabeve të vendeve të Kartës së Adriatikut A5 u mblodhën dje në konferencën e 10-të të tyre, për të diskutuar për kontributet e përbashkëta të vendeve pjesëmarrëse në misionet paqeruajtëse në Afganistan, por edhe për bashkëpunimin mes tyre në të ardhmen. Pjesëmarrës në këtë konferencë janë shefat e Mbrojtjes të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, 5 vendet e Kartës së Adriatikut, si dhe delegacione nga Serbia, Italia, përfaqësues nga komandat e bashkuara të NATO-s në Napoli, Brunsum, nga Komanda Qendrore e Aleancës në Evropë (SHAPE), si dhe Komanda Amerikane në Evropë (EUCOM). Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, vlerësoi punimet e kësaj konference, që sipas tij, ka sugjeruar gjithmonë zgjidhje dhe ide për ruajtjen e sigurisë në transformimin global. Sipas tij, diskutimet dhe sugjerimet që do të sjellë kjo konferencë do të ndikojnë në bashkëpunimin e Forcave tona të Armatosura dhe në transformimin e tyre. Duke folur për krijimin e Kartës së Adriatikut gjashtë vjet më parë, ministri Oketa kujtoi se “ajo bashkoi tri vende të rajonit tonë, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë, bashkim që u bazua në vizionet dhe vlerat e përbashkëta. Që atëherë vendet tona u angazhuan për të punuar për paqen si dhe për t’u integruar në Aleancën e euroatlantike”. ”Tani pas gjashtë vitesh, - vijoi ai, - kjo iniciativë e sigurisë dhe prosperitetit në rajon, bëri që dy vendet, Kroacia dhe Shqipëria, të jenë anëtare të NATO-s. Karta e Adriatikut (A5) ka mbështetjen e liderëve të NATO-s SHBA-së dhe kjo ka rëndësi për progresin dhe bashkëpunimin mes vendeve anëtare të kësaj karte.