E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ-ja shqyrton sot listat e kandidatëve të PD-së dhe PS-së



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi dje shqyrtimin e listës shumemërore të kandidatëve për deputetë të të gjitha partive. Anëtarët e komisionit lejuan që ditën e sotme të diskutohet për listën e partive të mëdha, PD dhe PS, ndërsa dje shqyrtuan listën e rreth 15 partive të vogla. Komisioni Qendror u përfshi nga debati, duke mos rënë dakord në lidhje me disa detyrime të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Një nga kërkesat është që lista duhet të ketë 30 për qind gra dhe në rast se nuk përmbushët ky detyrim, partitë duhet të riplotësojnë listën e qarkut, i cili mund të ketë probleme. Gjithsesi, edhe në këtë pikë pati debate në KQZ, ku në rastin konkret, Partia Agrare Ambientaliste kishte vetëm tri gra në Shkodër, qark i cili ka 11 mandate, duke bërë që të mos jetë 30 për qind, por afërsisht 27 për qind. Por pavarësisht kësaj, KQZ-ja e kaloi këtë listë.

Duke qëndruar në këtë debat, të njëjtin problem mund të ketë edhe PD-ja me PS-në, pasi në disa qarqe nuk plotësohet deri në 30 për qind kuota për gratë. Konkretisht, PS dhe PD kanë në qarkun e Kukësit vetëm një kandidate femër, e cila përbën vetëm 25 për qind të listës. Kjo mund të interpretohet si shkelje duke kërkuar që partitë të riplotësojnë këtë listë. Por burime pranë Drejtorisë Juridike në KQZ, shprehen për gazetën se si PD-ja ashtu edhe PS-ja, nuk kanë probleme në listë, duke nënkuptuar se lista e tyre nuk do të kthehet në asnjë qark. Njëkohësisht, përfaqësuesit e dy partive të mëdha konfirmuan për gazetën se “lista është e rregullt pa asnjë problem”. Duket që nga konsensusi që ka në Komisionin Qendror, asnjë listë në qark të ndonjë partie të madhe, PD-ja dhe PS-ja, nuk do të kthehet për rishqyrtim pasi këto parti kanë plotësuar kriteret e plotësuara në ligj për sa i përket kriterit të 30-përqindëshit të grave. Gjithsesi, duhet pritur sot për të parë në rast se mund të ketë kthime listash në qarqe për partitë e mëdha.

Në mbledhjen e djeshme, KQZ-ja miratoi vetëm pak lista partish, pasi pjesa më e madhe kishin probleme. Gjithsesi, KQZ-ja nuk mori vendim përfundimtar për të kthyer listën, pasi ky vendim do të merret kur të shqyrtohen të gjitha listat.

Konkretisht, nga shqyrtimi i djeshëm, dolën probleme të vogla teknike, si për shembull një kandidat i një partie të vogël kishte pasaportë të skaduar, duke bërë që stafi i KQZ-së të kërkojë edhe pak kohë për të shqyrtuar identitetin e saktë të kandidatit.

Në mbledhjen e djeshme, pati një debat të ashpër në lidhje me shqyrtimin e listave të kandidatëve. Përfaqësuesit e opozitës kërkuan që në rast se një listë ka probleme, të kthehet për shqyrtim vetëm qarku ku ndodhet problemi, ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës thanë se në rast se një listë ka problem, ajo të kthehet në tërësi. Pavarësisht këtij debati, komisioni nuk vendosi gjë, por nisi shqyrtimin qark për qark të çdo partie. Ditën e sotme do të ketë vendime më konkrete nga ana e KQZ-së për sa i përket vendimit përfundimtar në lidhje me listën e çdo partie politike. Në rast se do të ketë kthime, partitë do të kenë disa ditë për riplotësimin e tyre.

KQZ, opozita kërkon jashtë zgjedhjeve komunistët

Partitë të cilat nuk ndodhen në koalicione, do ta kenë të vështirë të garojnë në zgjedhje. Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar ishte partia e dytë e cila u shqyrtua nga KQZ-ja. Duke mos qenë pjesë e koalicioneve, kjo parti duhej të sillte 10 mijë firma në KQZ. Kjo parti kishte sjellë në këtë institucion 10 mijë firma qytetarësh, madje të konfirmuara nga një noter. Por anëtarët e KQZ-së të opozitës thanë se firmat nuk janë ligjore, pasi sipas tyre, ligji zgjedhor kërkon që 10 mijë firmat të konfirmohen individualisht nga noteri, dhe jo si trupë e tërë. Këmbëngulja e opozitës për të përjashtuar nga gara elektorale Partinë e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar, duke se lidhet me votat e mundshme që kjo parti mund të mbledhë të cilat janë të majta. Referuar vitit 2005, kjo parti kishte marrë në gjithë vendin rreth 2 500 vota.

Një maturante pa mbushur ende 18 vjeç, kandidate e pavarur

Një maturante nga Vlora, Loreta Gjoni, depozitoi kërkesën në KQZ për të garuar si e pavarur në këto zgjedhje në qarkun e Vlorës. Fatkeqësisht, zonjusha Gjoni nuk do të ketë të drejtën të garojë në këto zgjedhje, për shkak se kishte probleme me dokumentacionin dhe KQZ-ja rrëzoi kërkesën e saj. Komisioni rrëzoi këtë kërkesë për shkak se komiteti i propozuar prej 10 mijë firmash, kishte shkelur afatet ligjore. Por ajo që krijoi edhe atmosferë humori, ishte se Loreta Gjoni nuk kishte mbushur ende 18 vjeç. Ajo në datën 24 qershor, festonte ditëlindjen e 18-të, por nuk ishte ky shkaku i rrëzimit të kërkesës së saj. Realizimi i kërkesave për kandidime të pavarura kërkon kushte ligjore dhe njëra ndër to është edhe plotësimi i 10 mijë firmave qytetarësh në prani të një noteri i cili noterizon firmën në prani të çdonjërit prej 10 mijë votuesish. Loreta Gjoni së bashku me një kandidat tjetër, përbënin dy të vetmit të pavarur në të gjithë vendin që kërkonin të garonin.

Hapësira në televizionin publik, KQZ-ja miraton sot kriteret

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë sot udhëzimin për ndarjen e kohës për partitë politike në Televizionin Publik. Referuar nenit 80 të Kodit Zgjedhor, parashikohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton minutazhin falas që Radiotelevizioni Publik vë në dispozicion, gjatë fushatës zgjedhore, të partive politike parlamentare dhe jashtë parlamentare. Mbështetur në këtë nen, për partitë parlamentare të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë marrë më shumë se 20 për qind të vendeve në Parlament, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve cakton një minutazh të barabartë prej jo më pak se 30 minutash në Televizionin Publik dhe po aq në Radion Publike, kurse për partitë e tjera parlamentare të cilat kanë marrë më pak se 20 për qind të vendeve në Parlament kjo kohë është jo më pak se 15 minuta. Për sa u përket partive jashtëparlamentare që marrin pjesë në zgjedhje, ato përfitojnë 10 minuta në Televizionin Publik dhe 10 minuta në Radion Publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›