E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët dorëzojnë tek Berisha materialet e programit të PD-së



Ekspertët e përzgjedhur nga PD-ja dhe stafi i saj politik dorëzojnë tek Kryeministri Sali Berisha materialet e programit të ri elektoral të partisë në pushtet, përmes të cilit demokratët do të kërkojnë votat e shqiptarëve më 28 qershor. Ky program, i cili do të shpaloset në kuvendin e 9-të të PD-së, në orën 18:00 të ditës së shtunë në Pallatin e Kongreseve, është drejt përmbylljes dhe dorën e fundit po ia jep vetë lideri Berisha. Ai është punuar nga një staf i gjerë ekspertësh dhe njerëz politikë të PD-së në bazë të orientimeve të dhëna nga Kryeministri Berisha. Burime pranë tij bëjnë të ditur se prej tri ditësh Kryeministri Berisha është mbyllur në zyrë dhe po merret pikërisht me përmbledhjen e materialeve përkatëse, të cilat pritet të qepen në qindra faqe brenda së cilës janë projektet e mëdha të qeverisjes së djathtë përgjatë mandatit 2009-2013. Burimet sqarojnë se tashmë kapitujt e programit qeverisës janë gati dhe po bëhet vendosja e tyre sipas përparësive të objektivave të ardhshme. Për shkak të punës me këtë dokument themeltar, z. Berisha ka shtyrë për dy ditë më radhë mbledhjen e qeverisë. Përmes këtij programi, Berisha do të shpallë objektivat e shoqërisë shqiptare, synimet themelore dhe reformat më të rëndësishme të qeverisjes për zhvillim dhe integrim në Bashkimin Evropian, vijimësinë e reformave institucionale në mënyrë të veçantë, por duke u përqendruar shumë më tepër tek çështjet që prekin drejtpërdrejt jetesën e qytetarëve shqiptarë. Pikërisht, këtu është përqendruar puna më e madhe e ekspertëve që u morën me hartimin e kapitujve përkatës. Bëhet fjalë për reformën e pagave dhe pensioneve, atë të sistemit të shëndetësisë, arsimit në vend, punësimi etj. Por rëndësi merr sërish lufta kundër informalitetit, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe pritet që përmes programit të ri të bëhen të ditura nisma të reja që do t’u kundërvihen këtyre fenomeneve shkatërruese për shoqërinë shqiptare apo buxhetimi bazuar në prioritete. Forcimi i kapaciteteve institucionale dhe njerëzore do të jetë një tjetër kapitull që ka pësuar ndryshime dhe po ashtu edhe raportet e reja mes qeverisë dhe institucioneve të pavarura, të cilat do të konsistojnë në një stad të ri, gjithnjë në funksion të zbatimit të ligjit. Hapja e tregut të punës dhe konkurrenca e lirë dhe e ndershme ka marrë një kohë të gjatë të mendimeve të ekspertëve të PD-së, të përzgjedhur si më të mirët nga shoqëria civile. Por pjesa më thelbësore është ajo që ka të bëjë me anën politike të programit. Është stafi politik i partisë në pushtet që ka trajtuar kapitujt e veçantë që përbëjnë dhe shtyllën e programit, i cili pritet të miratohet nga delegatët e kuvendit të 9-të të PD-së më datën 23 maj 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›