Bumçi, akuza Ramës: Nxënësit, pa shkolla
Kryetari i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, akuzoi dje Bashkinë e Tiranës se po dëmton mësimdhënien e fëmijëve të kryeqytetit dhe rasti konkret është lënia jashtë vëmendjes së fatit të 130 nxënësve të shkollës “Isa Boletini” në Kamëz. Bumçi vuri në dukje se ky kontigjent nxënësish zhvillon mësimin në një mjedis privat, pasi në shkollën e rindërtuar nga bashkia nuk ka hapësira për ta dhe për më tepër, bashkia, sipas tij, refuzon të paguajë qeranë, 30 mijë lekë të reja në muaj, për mjediset ku mësojnë 130 nxënësit. “Pavarësisht nga rikonstruksioni që i është bërë kësaj shkolle, me ardhjen e klasës së nëntë rezulton që 130 nxënës nuk kanë ambiente ku të kryejnë mësimin. Këtu mësimi kryhet me dy turne dhe pavarësisht kësaj, prapë 130 nxënës nuk kanë ambiente. Ky ambient privat kushton 320 mijë lekë të vjetra në muaj. Iu bë kërkesë Bashkisë së Tiranës, e cila refuzoi të paguante 320 mijë lekë të vjetra në muaj, d.m.th. që nuk është planifikuar në buxhetin e saj. Buxheti i Bashkisë së Tiranës është 70 milionë euro, kryetari i bashkisë refuzoi të paguante qeranë që kushton 320 milionë lekë të vjetra. Kjo do të thotë që për kryetarin e bashkisë dhe Bashkinë e Tiranës 130 fëmijë nuk kanë ku të zhvillojnë mësim”, - tha z. Bumçi.