E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti sulmon Gramoz Ruçin në Fier



I pari në listën e LSI-së për deputet në qarkun e Fierit, Dritan Prifti, ka sulmuar dje rivalin e tij në këtë garë, i pari në listën e PS-së, Gramoz Ruçi. I lindur e rritur në Fier dhe deputet me votat e fierakëve, Prifti e ka cilësuar tallje me këtë elektorat vënien e Ruçit, i cili vjen nga Tepelena në krye të listës. Sipas tij, PS-ja e ka tallur Fierin “duke importuar kandidatë si Gramoz Ruçi e Bashkim Fino etj. që mbahen si figura të mëdha, por që për turp, ndërrojnë zonat e tyre elektorale çdo katër vjet. Japin premtime, gënjejnë sa mundin dhe pastaj katërvjeçarin tjetër ikin në zona të tjera elektorale”. Duke folur për karrierën si deputet të Ruçit, Prifti i ka renditur vetëm dështime në zonat ku ka qenë i zgjedhur. “Zoti Ruçi para dy mandatesh ka qenë deputet në Sarandë. Saranda i humbi zgjedhjet vendore përfshirë edhe Bashkinë e Sarandës duke e marrë PD-ja, për shkak të abuzimit me pushtetin të ish-kryetarit të bashkisë dhe të vetë zotit Ruçi që ka qenë mbështetësi i tij kryesor. Pasi humbi në Sarandë, zoti Ruçi shkoi në Tepelenë. Tani e braktisi dhe Tepelenën, pasi humbi Bashkia e Tepelenës dhe ajo e Memaliajt, po për shkak të Gramoz Ruçit. Tani zoti Ruçi vjen në Fier për të qenë i sigurt në fitore, pasi është i pari në listën e këtij rrethi”, - tha Prifti. Më tej, ai u bëri thirrje të gjithë fierakëve që “në këto zgjedhje të mbështetin fierakët, djemtë e Fierit, të cilët nuk i ndërrojnë zonat e tyre, të cilët kandidojnë këtu, jetojnë këtu, shërbejnë këtu dhe të cilët nesër kur të kenë nevoja qytetarët e Fierit me 100% do t’u gjenden atyre pranë në çdo kohë”. Sipas Priftit: “Fierakët nuk duhet të mbështesin kandidatë, gjoja profile të mëdha, që çdo katër vite ndërrojnë zonat dhe nuk kanë asnjë shans që të përfaqësojnë fierakët apo të ndihmojnë fierakët”. Ndërsa i pyetur rreth mungesës së kreut të PS-së, Edi Rama, në listën e konkurrimit në zgjedhjet e qershorit, Prifti ka pohuar: “Unë nuk mendoj që është dinjitoze që kryetari i partisë të mos kandidojë në krye të partisë së vet. Normale do të ishte në krye të kandidimit, në krye të PS-së, sepse duke mos qenë, jep një mesazh humbjeje. Shumë njerëz mendojnë se duke mos qenë në krye të kandidimit, zoti Rama parashikon humbje në zgjedhje dhe për këtë arsye nuk do të lejojë të largohet nga pushteti që ka në krye të Bashkisë së Tiranës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›