E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidatët e PD-së, të gjithë bashkë për mbledhjen e votave



Një bashkëpunim i rrallë mes kandidatëve të PD-së në bazë qarqesh, që ka vetëm një synim, mbledhjen e sa më shumë votave në zonat përkatëse. Vetëm në këtë mënyrë secili prej tyre do të mund të sigurojë një vend në Parlamentin e ardhshëm të Shqipërisë. Pikërisht, kjo mënyrë e re elektorale është e përqendruar tek puna e përbashkët e kandidatëve. Mbledhja e sa më shumë votave nën siglën e PD-së është rruga e sigurt drejt tempullit të Parlamentit, ndaj kandidatët e Partisë Demokratike, që dje nisin takimet e grupeve për të vetëpërcaktuar detyrat në bazë qarqesh. Pjesa më e madhe e kandidatëve kanë zbritur në zonat e caktuara për konkurrim, ndërkohë që pjesa tjetër është mbledhur në Tiranë. Kandidatët e qarkut të Dibrës ishin paraditen e djeshme në zyrën e ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana, i cili kryeson listën prej 7 kandidatësh në këtë qark verior. Po ashtu, edhe kandidatët e qarkut të Kukësit nisën takimet për fushatën elektorale në krye të të cilëve është sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka. Edhe në jug të vendit krerët e listave po zhvillojnë takime të njëpasnjëshme me pjesën tjetër të kandidatëve dhe më konkretisht në Vlorë, ku kryeson Astrit Patozi, në Gjirokastër, ku Genc Ruli radhitet i pari apo në Fier, ku kryeson Sokol Olldashi. Po ashtu, takime po bëhen edhe në qarkun e Lezhës, ku Edi Paloka ka mbledhur kandidatët e tjerë për ndarjen e detyrave. Tashmë kandidatët kanë përgatitur një draft-program për mënyrën e shpërndarjes së detyrave dhe puna intensive do të përqendrohet tek ajo pjesë e qytetarëve që në zgjedhjet e kaluara kanë refuzuar që të votojnë. Pikërisht, këtu do të përqendrohen demokratët, tek pjesa e pavendosur e qytetarëve, tek të cilët kandidatët e PD-së në zonat respektive do të trokasin në derën e tyre gjatë fushatës elektorale për t’u ofruar alternativën më të mirë, atë të zhvillimit dhe të ardhmes evropiane. Po ashtu, kandidatët e PD-së do të bëjnë çdo përpjekje për të kthyer në votues të djathtë 100 mijë të rinj që më 28 qershor votojnë për herë të parë. Angazhimi i partisë në pushtet për të thithur këto kategori zgjedhësish ka intensifikuar se tepërmi punën e kandidatëve, ndërkohë që ministrat e kabinetit “Berisha”, që janë dhe kryesues listash, kanë një axhendë shumë herë më të ngjeshur me fillimin e fushatës, pasi paradite kryejnë punë ministrore, kurse pasditeve zbresin në zonat respektive, ku janë caktuar për të kandiduar më 28 qershor. Puna ka filluar dhe synimi i demokratëve është vijimësia e qeverisjes përmes një mandati tjetër qeverisës, 2009-2013. Sistemi i ri elektoral dikton bashkëpunimin e kandidatëve mes njëri-tjetrir, pasi gara për emrat këtë herë zhvillohet vetëm pas mbledhjes së votave dhe në bazë të tyre përcaktohen dhe emrat fitues të partive politike që do të hyjnë në Kuvendin e ri të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›