Topalli, Ramës: Filozofia jote, karrigia e pushtetit
Filozofia e PS-së së Ramës, sipas kryeparlamentares Topalli, është shërbimi i karriges së pushtetit. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijoi turin e saj, ku kësaj here u ndal në Libofshë. Përpara qytetarëve të kësaj zone, Topalli lëshoi akuza të ashpra për PS-në dhe kryetarin e saj, Edi Rama. Sipas saj, qëllimi i vetëm i PS-së është ruajtja e karrigeve dhe shërbimit ndaj vetes së tyre. “Ajo që unë pyes veten çdo ditë, është se çfarë kanë bërë ata në 8 vjet? Problemi qëndron se ata kanë një filozofi. Mendojnë se kur të marrin karrigen, do t’i shërbejnë vetes dhe jo atyre që i kanë sjellë me votë. Këto janë dy botë që ndahen”, - tha ajo, duke shtuar se Partia Demokratike është një botë tjetër. “Qeveria nuk është për të marrë leje ndërtimi, nuk është pushteti për të rregulluar anëtarët e kryesisë. Prandaj them se janë dy botë krejt të kundërta, ajo është bota e trusteve të betonit, e 15-përqindëshit, e lejeve të ndërtimit, grabitje, mentalitet korrupsioni, mentalitet përfitimi, klientelizmi. Kjo nuk është në ndërgjegjen e shqiptarëve. Ky nuk është përfaqësimi ynë”, - tha Topalli. Ajo u shpreh e bindur se jo vetëm Fieri do të votojë PD-në më 28 qershor, por gjithë Shqipëria do të zgjedhë alternativën e vetme për zhvillimin e vendit. “Si nënë, unë i kuptoj ato dhe për nënën nuk ka gjë më të rëndësishme se për t’i dhënë fëmijës një mundësi më të madhe. Për nënën, për kryefamiljaren, për shtyllën e familjes, nuk ka gjë më të rëndësishme se të shohë se vendi ecën përpara, rritet dhe ngjitet”, - deklaroi Topalli në Libofshë të Fierit.