E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërrohet sistemi, si mund të përfitosh dy pensione

04/03/2005  Sigurimi fillon me 500 lekë në muaj për pensionin minimal

Pensioni që të jep shteti asnjëherë nuk është i mjaftueshëm dhe askush nuk mund të jetojë denjësisht me të. Bizneset e interesuar për të hapur një institut pensioni e kanë pranuar këtë fakt, duke ftuar punëmarrësit në gjithë vendin, të shfrytëzojnë skemën e pensioneve private. Këshilli i Ministrave ka miratuar ligjin që i hap rrugën skemës së pensioneve private. Tashmë çdo kush mund të aplikojë për një tjetër pension pleqërie, në rast se do të kalojë pa halle financiare kohën e moshës së tretë. Pikërisht këtu është ideja. Të jesh super i siguruar, duke paguar dy tarifa pensionesh, një në shtet dhe një te privati. Me fjalë të tjera, pensionin e pleqërisë ose të invaliditetit, tashmë mund ta sigurosh dhe duke paguar kontribute në një Institut Privat Pensioni. Qeveria ka përgatitur projektligjin, që do t’i hapë rrugën sigurimit suplementar në Shqipëri, pas sigurimit të detyrueshëm dhe atij vullnetar. Për të gjithë ata që janë në marrëdhënie pune dhe kanë mbushur moshën mbi 18 vjeç, ekziston një mundësi për të patur pleqëri të sigurtë ose të ardhura të kënaqshme, në rast të largimit nga puna për shkak aksidentesh. Por duket se skema suplementare e pensionit nuk e përjashton skemën e detyrueshme, çka do të thotë se të gjithë të punësuarit duhet të jenë korrektë me pagimin e detyrimeve për sigurimet shoqërore. “Qëllimi i këtij ligji është sigurimi i përfitimeve suplementare për të siguruarit në rastet e pensioneve të pleqërisë, invaliditetit dhe familjare, me anë të rregullimeve suplementare të pensioneve, në shtesë të atyre që jepen nga ligji për sigurimin e detyrueshëm shoqëror”, ka bërë të ditur gjatë prezantimit të ligjit Naim Hasa, drejtori i Sigurimeve Shoqërore.

Sipas skemës, punonjësit duhet të jenë të rregullt me pagesat në skemën e sigurimeve shoqërore dhe nga ana jetër mund të fillojnë të paguajnë individualisht paratë në skemën private. Kështu duket se kontributi minimal është parashikuar të jetë në masën 500 lekë të reja, ndërkohë që norma e kontributit mund të jetë edhe shumë herë më e lartë, sipas dëshirës së personit që sigurohet.

Ndërkaq, duket se sistemi i sigurimeve shoqërore PAYG, nuk do të dalë nga loja. Për sa kohë në një shoqëri do të ketë nevojë për barazi, garanci dhe drejtësi sociale, do të jetë e nevojshme dhe funksionimi i këtij sistemi. Duket se vendet më të zhvilluara dhe ato në trazicion po përzgjedhin një emërues të përbashkët të dy skemave. Sipas drejtorit të Sigurimeve Shoqërore, Naim Hasa, njihet vetëm një rast i vetëm i sigurimit totalisht privat në botë dhe duket se këtë sistem e ka përzgjedhur Kili. Por, në Shqipëri, kur rreth 500 mijë persona sigurojnë bukën e gojës me pension dhe varen totalisht prej tij, duket se është nevoja e prezencës së shtetit në sigurimin e kësaj të drejte. “Qëllimi final i reformës është të rrisë normën e zëvendësimit nga të tria kollonat me 70–80 për qind”, ka bërë të ditur Naim Hasa. Specialistët këshillojnë se, tashmë ka ardhur momenti për të mos u mbështetur vetëm te skema PAYG. “Plakja e popullsisë dhe emigracioni intensiv e bëjnë të ardhmne e pensioneve dhe brezave aktualë shumë të rrezikshme”, tha në fjalën e tij Naim Hasa. Jo vetëm kaq, por duket se mungesa e akumulimit dhe kapitalizimit të aseteve të pensioneve, është një faktor që çon edhe një votë më tepër në sistemin suplementar.

Çfarë pensionesh siguron Instituti i Pensionit

Duket se Institutet e Pensionit janë të gatshme të sigurojnë të gjitha llojet e pensioneve. Pensione pleqërie, është një nga sigurimet për të cilat Instituti kërkon kushtin e të qenit i përshtatshëm në çdo rast, jo më pak se 40 vjeç për gratë dhe 45 vjeç për burrat, është arritja e moshës. Gjithsesi, personat që do të sigurohen në Institutet e Pensionit mund të aplikojnë dhe për pensione të parakohshme, të cilat do të merren në rastet kur kanë punuar në sektorë të vështirë. Nga këto institute mund të marrësh dhe pensione invaliditeti, ku kushti për të qenë i përshtatshëm është dhënia e një pensioni invaliditeti sipas skemës së sigurimit të detyrueshëm shoqëror. Një tjetër tip pensioni që do të ofrojë Instituti Privat, do të jetë dhe pensioni për vjetërsi në punë, ku kusht i të qenit i përshtatshëm është arritja e periudhës së sigurimit të pensioneve suplementare. Pension tjetër i angazhuar brenda skemës do të jetë pensioni familjar, ku kusht i të qenit i përshtatshëm është vdekja e një personi të siguruar. Të gjitha këto janë mundësitë që ofron Instituti Privat i Pensionit që, në fakt, duket se nuk ndryshojnë aspak nga opsionet e skemës së sigurimeve shoqërore. Ajo që premtohet më shumë është sigurimi suplementar që individi do të marrë mbi atë të sigurimeve shoqërore, duke siguruar një të ardhur të mjaftueshme.

Pensione pleqërie

Për ata që kanë mbushur moshën

Pension i parakohshëm

Për ata që punojnë në kushte të vështira

Pensione invaliditeti

Për ata që kanë pësuar aksidente

Pension familjar

Për raste fatkeqësish në familje

Tre lloje sigurimi

500 lekë sigurimi minimal

Katër lloje pensionesh

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›