E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dinamo në sulm

03/03/2005  Blutë po përgatiten intensivisht për ndeshjen e radhës kundër Teutës. Normalisht, ky takim është programuar për të dielën, por mund të zhvillohet në një datë më të afërt, pasi Shkumbini ka kërkuar që ndeshja e tij me Partizanin të zhvillohet të dielën dhe tashmë, pritet konfirmimi i seksionit të garave për datën e saktë. Për të qenë gati për gjithçka që mund të ndodhë, trajneri i bluve, Agim Canaj, po e bën gati për ndeshje që tani skuadrën. Për këtë arsye, lojtarët e Dinamos kanë zhvilluar dje, një stërvitje edhe më të rëndë se një ditë më parë. Trajneri i bluve i ka dhënë përparësi, intensitetit të lëvizjeve. Ai, përveç programit të zakonshëm i ka dhënë një rëndësi të veçantë njohjes së lojtarëve me disa skema të reja sulmuese. Canaj ka këmbëngulur më shumë në lëvizjet me top të bluve, si dhe në koordinimin midis tyre. Gjithashtu, ai ka konfiguruar edhe formacionin, me të cilin mendon se do të përballet me Teutën. Në përgjithësi, baza e skuadrës do të jetë e njëjtë me të mëparshmen. Në mbrojtje, si gjithmonë treshja, Pisha, Kone e Diop. Në qendër të mesfushës Gaje e Poçi, ndërsa nga krahët, Canaj do të luajë si paraardhësi i tij në Lushnjë, me Qorrin e Dhëmbin. Ndryshimi kryesor do të jetë në repartin e sulmit. Fall, i cili luante mbrapa dy sulmuesve kryesorë, si një pikëmbështetje e tyre, del nga formacioni dhe në vend të tij do të luajë Tiko. Dyshja sulmuese do të përbëhet nga Bushi e Gudjabi. Vendosja e senegalezit në sulm pritej pas shënimit të dy golave në Lushnjë, ndërsa tërheqja e Tikos pak më mbrapa, ka të bëjë me dëshirën e Canajt, për t’i dhënë një karakter më sulmues skuadrës. Problemi i vetëm i trajnerit të bluve e ka emrin Ilion Lika. Numri 1 i portës dinamovite e ka akoma hematomën në sy dhe nuk dihet, nëse do të jetë në gjendje të luajë kundër durrsakëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›