Hoakin refuzon Çelsin për Realin
03/03/2005 Sulmuesi i Real Betis, Hoakin Sançes, mund të refuzojë ofertën e bërë nga klubi i Çelsit, për të kaluar te Reali i Madridit, gjatë verës së ardhshme. Në prag të ndeshjes në Ligën e Kampioneve, përballë Çelsit, tekniku i Barcelonës, Hose Murinjo, ka pranuar se do të ishte shumë i interesuar për të lidhur një kontratë me lojtarin e Kombëtares spanjolle. Gjithsesi, Hoakin do të preferonte të qëndronte në Spanjë, ku synimi i tij kryesor mbetet Bernabeu. “Nuk e di se te cila skuadër do të shkoj, por nëse një gjë e tillë ndodh, dua të jem shumë i qetë, kur të marr vendimin”- deklaroi Hoakin në Radio Marka. “Do të ishte fantastike, nëse do të bashkohesha me Real Madridin, sepse është ekipi më i mirë në botë. Do të ishte një ëndërr të luaja te Reali dhe në Ligën e Kampioneve”. Nëse Hoakin do të bashkohet me Realin, atëherë ai do të jetë në “luftë” me Luis Figon, për vendin e titullarit, edhe pse shumë media kanë parashikuar largimin e portugezit, pasi kontrata e tij përfundon pas 18 muajsh. “Do të ishte e vështirë të jesh gjithmonë titullar, ndërkohë që është edhe Luis Figo, sepse ai është një profesionist dhe vendimtar për skuadrën e Real Madridit”- shtoi më pas Hoakin. “Më duhet ende shumë punë për të arritur në nivelin e tij. Primera dhe Evropa kanë shumë klube të fortë, por unë jam spanjoll dhe si i tillë preferoj Realin”- përfundoi ai.