Banda e Lushnjës, Dondollaku do të rigjykohet
Gjykatë
Enver Dondollaku, krahu i djathtë i Aldo Bares gjatë funksionimit të plotë të Bandës së Lushnjës, do të rigjykohet, pasi Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka hasur disa parregullsi procedurale në procesin e parë ku është dënuar 25 vjet heqje lirie. Dje ishte seanca e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Kryetari i kolegjit penal, Ilir çeliku, verifikoi palët e pranishme, teksa pala e akuzuar mungonte. Prokurori i çështjes, Anton Martini, i rekomandoi gjykatës që të njoftonte edhe njëherë të pandehurin. Duke u ndodhur në këtë situatë, gjykata do t’i kërkojë sërish Ministrisë së Drejtësisë që të njoftojë Enver Dondollakun për zhvillimin e seancave gjyqësore në Shqipëri. Krahu i djathtë i Aldo Bares akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj oficerit të policisë, Klenti Bani, kryer në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Ndërkohë që Dondollaku mban mbi shpinë edhe dy dënime, ku në Itali është dënuar me 17 vjet burg, ndërsa në Shqipëri është dënuar me 25 vjet burg.
#