Rikthehen ruspat në gjirin e Jalit
Himarë
Fillon prishja e 13 ndërtimeve pa leje
Rikthehen ruspat në gjirin e Jalit. Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit ka nisur dje aksionin për prishjen e rreth 30 ndërtimeve pa leje në bregdetin jonian, duke filluar pikërisht nga gjiri i bukur i Jalit. Në këtë zonë, që është goditur dhe më shumë nga policia ndërtimore, para tri vitesh u shkatërruan 13 godina deri në pesë kate të larta, gjë që shkaktoi pakënaqësi te banorët dhe më vonë acaroi edhe marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore. Për shkak të kësaj historie, pritej që edhe dje të kishte kundërshtime nga banorët, por ndodhi krejt e kundërta. Pronarët e ndërtimeve pa leje, që kryesisht janë konstruksione të lehta, kanë nxituar t‘i çmontojnë vetë lokalet e ndërtuara në zonën ranore, duke mos kundërshtuar.
Një prej banorëve të Jalit tha për gazetën “Shqip” se “kam bërë një ndërtesë që më ka kushtuar më shumë se dhjetë milionë lekë të vjetra dhe sot jam i detyruar që ta prish vetë, për të mirën e zonës, pasi dhe projekti për zhvillimin e zonës është në të mirën tonë”. Për prishjen e objekteve pa leje dhe për sistemimin e gjithë zonës bregdetare është angazhuar edhe Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Himarës, ndërsa mjetet dhe forcat policore kishin ardhur nga kryeqyteti.
Kreu i Inspektoratit të Ndërtimit të Himarës, Tafil Seferi, tha se “banorët janë të ndërgjegjësuar për zhvillimet dhe sistemimet që do të bëhen në gjithë bregdetin dhe veçanërisht për Jalin, prandaj ndërtimet që janë ngritur në zonën ranore po i çmontojnë vetë, pa ndërhyrë fadromat”.
Gjithsej në zonën ranore të gjirit të Jalit janë 13 objekte që do të prishen, ndërkohë që në territorin e Bashkisë së Himarës, nga Llogoraja deri në Qeparo, do të prishen edhe 17 objekte të tjera pa leje, që janë kryesisht konstruksione druri ose metalike, të vendosura në plazhet kryesore të zonës.
#