Kur një ministër keqpërdor politikisht OSBE
Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bosch, i është referuar dje në një tryezë për median ministrit tonë të Jashtëm, Lulzim Basha, lidhur me atë që ambasadori e quajti mungesë të etikës në media dhe përdorim të saj për interesa politike. Nuk jam i sigurt në çfarë momenti të sikletshëm ambasadorit të OSBE i duhet të citojë një ministër për t’iu treguar gazetarëve problemet e tyre, por është e sigurt se ministri në fjalë nuk është personi i duhur për t’u cituar për përdorim dhe keqpërdorime politike. Nuk dua të paragjykoj procesin penal të hapur ndaj tij për vjedhje dhe abuzime në një nga projektet më të mëdha të infrastrukturës së vendit, pasi me të po merret drejtësia. Nuk dua të bëj as historinë e karrierës së tij që nis dhe mbaron thjesht nga njohje dhe interesa personale dhe jo nga merita personale. Por kam një rast konkret ryshfeti të tij, ku ministri në fjalë ka bërë shantazh të prishë një ndërtim në autostradë dhe, pasi është paguar, e ka anuluar vendimin. Ia kam shkruar me emra konkretë, me detaje dhe dëshmitarë publikisht. Prej asaj dite, zoti ambasador, unë e shikoj atë thjesht si një hajdut dhe jo si një njeri që mund të flasë për etikë, për përdorim apo keqpërdorim.
Por nuk dua të merrem me zotin Basha, por me një retorikë zyrtare ndaj medias, pre e së cilës po bie dhe misioni i OSBE në Tiranë. Ne e dimë që misioni i OSBE në Tiranë ka probleme me mandatin e tij. Qeveria shqiptare dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, kanë kohë që bëjnë lobing të hapur për ta mbyllur këtë mision ndoshta në fund të këtij viti. Na e kanë konfirmuar këtë diplomatë amerikanë dhe e kanë paraqitur si shqetësim kryesor për dyshimet që kanë rreth sjelljes antiperëndimore të qeverisë. Unë nuk jam nga ata gazetarë që kam ndonjë vlerësim të hatashëm për punën që ka bërë misioni i OSBE në Shqipëri. Përveç ambasadorit Ahrens dhe ambasadorit Lipponen nuk kam parë as ndonjë performancë diplomati nga ata që kanë përfaqësuar OSBE këtu. Por rasti i deklaratës së ambasadorit Bosch më bën të ndjej keqardhje për pozitën në të cilën është katandisur OSBE në këtë vend. Së paku, unë dhe disa kolegë të tjerë kemi katër muaj që publikisht i kërkojmë qeverisë të mos e zbojë misionin e OSBE nga Shqipëria, edhe pse e ka lënë praktikisht pa punë dhe nuk i ka dhënë asnjë projekt. I kemi bërë thirrje OSBE të qëndrojë si një aktor më tepër në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe monitorimin e proceseve politike këtu. Dhe qeveria nuk ka patur fuqi të na përgënjeshtrojë, as të na thotë diçka të kundërt. Është ironi e madhe që për të quajtur të pavërteta ato që kemi thënë ne në mbrojtje të OSBE, të dëgjojmë nga goja e ambasadorit të OSBE, i cili citon njeriun që ka vendosur ta zbojë nga Shqipëria. Është çmim shumë i lartë për misionin e OSBE, që në përpjekje për të rregulluar kredencialet me një ministër, i cili kërkon t’i zbojë nga Shqipëria, të bëhet zëdhënës i gënjeshtrave të tij dhe përpjekjeve të suksesshme të tij për ta përdorur ambasadorin Bosch politikisht.
Së dyti, ndjehem i pezmatuar nga keqpërdorimi që i bëhet një propozimi tim personal dhe kolegut tim, Armand Shkullaku, lidhur me ngritjen e një Klubi të Shtypit në Shqipëri. Ky është një propozim që unë ia kam bërë vetë një oficeri të medias në OSBE, në Tiranë, dhe ideja është që të krijojmë një organizatë ombrellë, e cila të përfshijë çdo organ të medias në Shqipëri, për të vetërregulluar raportet e medias në Shqipëri. Mbi të gjitha kemi kërkuar të kemi një kartë shtypi, një procedurë akreditimi për gazetarët profesionistë dhe një ligj për median. Ajo ç’pashë unë dje në një tryezë debati, ishte një shtrembërim i këtyre ideve dhe një gjallërim sharlatanësh që flasin në emër të gazetarëve dhe medias pa i pyetur dhe pa i njohur askush. Më kanë telefonuar disa kolegë dje dhe gati më kanë thënë dhe emra tregtarësh që paraqiten si gazetarë që do të drejtojnë këtë klub mediesh. Natyrisht, kjo është diçka qesharake që nis dhe përfundon në tryeza boshe si ajo e djeshmja, por ajo që dua t’i kujtoj zotit ambasador është se, kur ne marrim vetë iniciativë të vetërregullojmë problemet tona, i marrim vetë dhe s’kemi nevojë të na emërosh dhe ta na sjellësh udhëzime nga Lulzim Basha. Nëse e ke mik atë, të lutemi si gazetarë të na dëshmojë për ato që i kërkojmë në formë informacioni për përfshirjen e tij në vepra penale me akuza vjedhjeje dhe shpërdorimi, për lidhjet e tij me sekserin e përfolur ballkanik, Damir Fazlliç, dhe historinë e parave të zhdukura të kompanisë “VEFA” në Holandë, pará që menaxhoheshin nga vjehrra e tij, e cila është njeri i afërt i bosit të piramidës “VEFA”. Këto nuk janë thashetheme, janë kërkesa reale që media ia ka drejtuar zotit Basha dhe ai nuk përgjigjet. Nëse ke aq miqësi me të, zoti ambasador, na ndihmo për këto përgjigje. Ne të tjerët, ne që jetojmë dhe ushqejmë familjet tona si gazetarë dhe jo si politikanë, do të përpiqemi që ty dhe misionin tënd të mos e zbojnë nga Shqipëria. Por nuk do të të kërkojmë ndonjë nder. Madje, nuk do të të kërkojmë as të kritikosh Lulzim Bashën, ndërsa ai përpiqet të të zbojë.