Ekipi “Chimerica”
Historianët e së ardhmes, ma merr mendja, do ta shikojnë mbledhjen dështuese të G-20 në Uashington më pak si Bretton Woods 2.0 dhe më shumë si ringjallje të Konferencës Ekonomike të Londrës të vitit 1933. Atë kohë, përfaqësuesit e 66 shteteve dështuan të merren vesh për një përgjigje të përbashkët ndërkombëtare ndaj Depresionit të Madh. Fajin kryesor e kishte presidenti i sapozgjedhur i SHBA në atë kohë, Franklin D. Roosevelt, i cili dha veton e vet kundër propozimeve evropiane për stabilizimin e parave.
Këtë herë nuk ishte i sapozgjedhuri demokrat, por ishte republikani, ai që po ikën dhe që e dha veton. Edhe para se të arrinin homologët e tij në Uashington, presidenti Bush e bëri të qartë se ngjarjet e fundit nuk kanë bërë asgjë që të zhdukin besimin e tij në tregjet e lira dhe rregulloret minimaliste. Gjatë fundjavës, ishte SHBA ajo e cila refuzoi thirrjet e Evropës për një trup të ri ndërkombëtar rregullator, kundërshtoi ridefinimin e rëndësishëm të rolit të Fondit Ndërkombëtar të Parave dhe nuk tregoi aspak interes ndaj idesë për një paketë globale të stimulimeve. Iku një mundësi e vërtetë.
Ashtu si ndodhi në vitet 1930, ajo që filloi si një panik bankar amerikan, tani është zgjeruar në një krizë globale ekonomike. Dhe, njëlloj si ndodhi në vitet 1930, mungesa e koordinimit ndërkombëtar ka potencial që ta shndërrojë recesionin në një depresion të thellë e të gjatë.
Problemi, i cili, si duket, është diskutuar shumë pak gjatë fundjavës, është se secila qeveri shtetërore tash për tash po i përgjigjet krizës me masat e veta monetare dhe fiskale. Disa banka qendrore tashmë kanë thyer rata zyrtare dhe kanë arritur zeron. Disa thesare tashmë kanë nisur paketa shpëtimi multimiliardëdollarëshe dhe stimuluese. Dreqi gjendet te dallimet në mes koordinimeve kohore dhe madhësive të këtyre masave. Mungesa e koordinimit e bën pothuajse të pashmangshme rritjen e paqëndrueshmërisë së tregjeve të jashtme të shkëmbimeve dhe huave, ngaqë investuesit reagojnë ndaras për secilën nismë të re kombëtare. Rezultati mund të jetë pothuajse aq shkatërrues sa edhe masat mbrojtëse të adaptuara nga qeveritë kombëtare gjatë Depresionit. Tani, ashtu si atëherë, një politikë e “secilit për vete” mund të jetë vdekjeprurëse.
Në zemër të kësaj krize është jo-baraspesha e madhe në mes të SHBA, me deficitin e saj të tashëm që është 1 për qind më shumë sesa të ardhurat vjetore botërore dhe shteteve, të cilat kanë tepricë dhe e financojnë: eksportuesit e naftës, Japonia dhe Azia. Prej këtyre, marrëdhënia në mes të Kinës dhe Amerikës është bërë ajo kryesorja. Më shumë se çfarëdo tjetër, ka qenë strategjia e Kinës për akumulimin e rezervave të dollarit, ajo e cila ka financuar vesin e huamarrjes së Amerikës. Kursimet e Kinës ishin arsyeja kryesore pse ratat afatgjata të interesit të SHBA mbetën të ulëta dhe huazimi vetëm sa vazhdoi. Tani, kur epoka e kredive ka kaluar, “Chimerica” - partneriteti në mes kursimtarit të madh dhe shpenzuesit të madh, është çelësi.
Në thelb, ne kemi nevojë që kinezët të përkrahin lehtësimin monetar dhe stimuluesin fiskal të SHBA. Ka nevojë për krijimin e një marrëveshjeje për reduktimin gradual të jo-baraspeshës Chimericane me anë të rritjes së eksporteve të SHBA dhe rritjes së importeve të Kinës. Alternativa, një zvogëlim i përnjëhershëm i jo-baraspeshës me anë të importeve më të vogla të SHBA dhe eksporteve më të vogla të Kinës, do të ishte e tmerrshme.
Gjithashtu, duhet të ekzistojë një marrëveshje, që të shmanget një shpartallim i tregut të dollarit dhe tregjeve të kredive, që është bash ajo që do të ndodhë, nëse kinezët nuk blejnë më kredi të qeverisë së SHBA, masa e të cilave tani po rritet me të madhe.
Alternativa ndaj një marrëveshjeje të tillë Chimericane është që kinezët të kthehen nga brenda, duke e përkushtuar energjinë e tyre në “socializmin e tregut në një shtet”, duke rritur konsumin shtëpiak të prodhimeve kineze dhe duke mos e përdorur tregun si makinë për rritje.
Një mesazh presidentit të sapozgjedhur, Barack Obama: Mos prit deri në prill për samitin e ardhshëm të G-20. Thirr një takim Chimerican G-2 ditën, pasi të inaugurohesh. Mos prit që Kina të thërrasë takimin e vet të “G-1” të ri në Pekin.
Niall Ferguson,një profesor i historisë në Universitetin Harvard, është autori i librit “Ngritja e Parasë: Historia Financiare e Botës.”