E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie ekstradimi i Kleves Mujës

Kryekomunari i arrestuar, Kleves Muja

Dëshmon në gjyq mjeku i Ushtarakut. I kërkuari për trafik nuk mund të lëvizë në Itali.

Gjykata e Shkodrës: Ish-kryekomunari në gjendje kome.

Gjendja shëndetësore e Kleves Mujës rrëzon ekstradimin e tij drejt Italisë. Gjykata e Shkodrës vlerësoi dëshminë e mjekut të Spitalit Ushtarak, duke vendosur kundër transferimit drejt shtetit fqinj të ish-kryekomunarit të Rrethinave, akuzuar për trafik droge.
Ka qenë dëshmia e mjekut të Spitalit Ushtarak, Fatos Olldashi, i cili ka pohuar se gjendja shëndetësore e Mujës është e rëndë, dëshmi që ka ndikuar në vendimin e gjykatës. Prokurori i çështjes, Ermir Lelçaj, i kërkoi trupit gjykues të kryesuar nga Emiljano Ruli që të bëhet ekstradimi i Mujës drejt Italisë, meqenëse nga ana e Drejtësisë italiane ka një urdhër arresti ndaj tij. Ndërkohë që Muja, në pamundësi për të qenë i pranishëm në seancë për shkak të gjendjes kritike në të cilën ndodhet, përfaqësohej nga avokati Ardian Visha. Pala mbrojtëse kërkoi që në gjyq të dëshmojë mjeku i Spitalit Ushtarak Fatos Olldashi, i cili e ka mbajtur nën kontroll Mujën. Në fjalën e tij, Olldashi ka pohuar se Muja që prej datës 4 qershor është në koma, si rezultat i një sulmi të bërë ndaj tij në burgun e Shën Kollit dhe se gjendja shëndetësore është problematike për jetën. Pra, në kushte të tilla, Muja e ka të pamundur që të lëvizë në drejtim të shtetit fqinj. Pasi ka dëgjuar pretendimet e të dyja palëve, gjykatësi Ruli ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e prokurorisë për ekstradim, duke lënë në fuqi vendimin për arrest shtëpie, por ka shtuar edhe masën e sigurimit personal. Muja u arrestua në fillim të qershorit nën akuzën e trafikut dhe pjesëmarrjes në grupe të organizuara kriminale, ngritur nga pala italiane. Për këtë Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër fillimisht mori vendimin arrest me burg për 40 ditë për Mujën, kohë kjo e mjaftueshme nga pala italiane për sjelljen e një kërkese për ekstradimin e Mujës. Dy ditë pas arrestit dhe dërgimit të tij në burgun e Shënkollit në Lezhë, Muja u plagos rëndë nga një tjetër i dënuar. Sipas pretendimeve të Policisë, mes Mujës dhe autorit të sulmit ndaj tij kishte pasur një konflikt të vjetër. Gjatë kohës që Muja ndodhej i shtruar në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe po kurohej nga plaga e marrë, Gjykata e Apelit në Shkodër, ndryshoi masën e sigurisë ndaj tij, nga arrest me burg në arrest shtëpie. Aktualisht, Muja ndodhet në ambientet e Spitalit Ushtarak, nën terapi intensive mjekësore. Siç deklaroi dhe mjeku Olldashi, gjendja e tij është kritike, pasi autori i plagosjes e ka qëlluar në kokë 38-vjeçarin, me qëllim shkaktimin e vdekjes.

Shkarkimi
Këshilli i Ministrave pak ditë më parë vendosi shkarkimin e Mujës nga posti i kryetarit të komunës Rrethina në rrethin e Shkodrës. Ky miratim erdhi pas propozimit të ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, bazuar në dokumentacionin e Policisë së Shtetit për pjesëmarrje të Mujës në grupe të organizuara kriminale të drogës në Itali dhe kërkesës që pala shqiptare ka marrë për ekstradimin e Mujës përpara organeve të Drejtësisë italiane.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›