Hoqën votat e PD e PS, në gjyq gjashtë komisionerë
ELBASAN Prokuroria e Elbasanin çon në gjyq gjashtë komisionerë të komunës Rrasë të rrethit të Elbasanit për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve për anëtarë të Këshillit Bashkiak të kësaj komune. Burime nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan bëjnë të ditur se është mbyllur hetimi dhe në shtator nis gjyqi për 6 komisionerët: Fatmir Meta, Nazmi Hidri, Zyber Troka, Ilir Ferhati, Alban Hidri, Petrit Xhelili, të cilët akuzohen për trafikim të votave të dy partive të mëdha PD-PS, me qëllimin për të favorizuar partitë e vogla. Sipas ligjit, në rast se hetimet provojnë akuzën e ngritur ndaj gjashtë komisionerëve përfaqësues të partive të tjetra, ata rrezikojnë të ndëshkohen me gjobë nga 1 milion lekë deri në 5 vjet burg, nën akuzën falsifikim i dokumenteve, si dhe të rezultatit të zgjedhjeve lokale të 2011-s. Në zgjedhjet e 8 majit të vitit 2011 në komunën Rrasë kandiduan 16 subjekte të ndryshme politike, ku u votua në 4 qendra votimi dhe konkretisht, qendra e votimit nr.2584, 2585, 2586 dhe 2587, e administruar kjo nga komisioni zonal i administrimit të zgjedhjeve me numër 13. Në këto zgjedhje vendore komisioneri Nazmi Hidri ka qenë i ngarkuar me procesin e numërimit të votave në qendrën e votimit nr.2585 dhe 2587, ku rezulton se Partia Socialiste në fletën e parë të mandatit kishte marrë realisht 60 vota, ndërsa në tabelën përmbledhëse që i ishte dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i cili ka shërbyer për rezultatin, ishin pasqyruar 30 vota më pak. Ndërsa në qendrën e votimit 2587 të të njëjtit subjekt i janë hequr 30 vota. Ky fakt i zbuluar nga hetimet ka ndodhur edhe në qendrën tjetër të votimit dhe konkretisht, atë me numër 2586, ku të njëjtit subjekt i janë hequr 70 vota. I njëjti veprim është kryer dhe për votat e PD-së. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, më datë 01.09.2011, sipas burimeve zyrtare ka regjistruar procedimin penal nr. 888 datë 01.09.2011, për veprën penale falsifikim i dokumenteve dhe rezultatit të zgjedhjeve, parashikuar nga neni 326 i Kodit Penal. Gjithsesi hetimet vazhdojnë, ndërkohë që ndaj gjashtë komisionerëve nuk është marrë asnjë masë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Gjashtë komisionerët nuk kanë pranuar të deklarojnë pa praninë e avokatit rreth akuzave që janë hedhur ndaj tyre. m.s