E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë vendosjen e rendit dhe ligjit në veri

Pas gjashtë vjetësh Unioni i Demokristian Shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, në kongresin e tretë të tij, të shtunën në Prishtinë ka zgjedhur udhëheqësin e re me anë të aklamacionit. Kryetar i Unionit është rizgjedhur kryetari i deritanishëm, Zef Morina, nga Partia Demokristiane e Kosovës, ndërsa kryetar i përgjithshëm Vladimir Beja, nga Partia Demokristiane Shqiptare.

Me këtë rast është lexuar edhe deklarata politike e Unionit të Demokristianëve, e cila u bënë thirrje krerëve të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës që të angazhohen më tepër për proceset integruese evropiane dhe të vejnë sa më parë rend dhe ligj në veri të Kosovës. Gjithashtu në këtë kongres i është drejtuar një kërkesë Vatikanit që të njohë sa më parë pavarësinë e Kosovës.

Punimet e këtij kongresi, i cili u mbajt me moton “Kombi shqiptar dhe integrimi euroatlantik, kanë qenë të pranishëm edhe mysafirë të partive tjera si ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu dhe Skender Hyseni, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu.

Kryetari i rizgjedhur i Unionit Demokristian, Zef Morina, ka thënë se edhe pse Kosova është duke hyrë në vitin e katërt të shtetësisë, sundimi i rendit dhe ligjit nuk është shtrirë ende në veri, pjesë kjo e cila ka mbetur nën mëshirën e kriminelëve serbë. Ndërkohë ai bëri thirrje faktorit shqiptar të jetë më i vendosur në ruajtjen e sovraniteti dhe integritetit të Kosovës.

“Veriu i Kosovës ka mbetur në mëshirën e kriminelëve serbë, të cilët veprojnë lirshëm dhe pa u penguar të mbështetur nga qeveria e Beogradit. Demokristianët shqiptarë fuqishëm dënojnë aktet kriminale të bandave dhe kriminelëve serbë që ushtrojnë dhunë në pjesën veriore të Kosovës. Njëherësh kërkojmë nga faktori shqiptar të jetë më i vendosur në ruajtjen e sovraniteti dhe integritetit të Kosovës. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të bindin faktorin ndërkombëtar dhe miqtë tanë se nuk mund të ketë ndarje të Kosovës dhe asnjë çrregullim të brendshëm. Ndërsa Qeveria e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë sa më shpejt të kthejnë sundimin e ligjit dhe jetën normale në veri të vendit”, ka thënë Morina.

Sipas Morinës vështirësia më e madhe që po has populli shqiptar është kultivimi i demokracisë si bazamenti kryesor në rrugën drejt integrimeve evropiane. Në këtë drejtim ai ka potencuar se për shkak të manipulimit të votës gjatë zgjedhjeve demokristianët kanë mbetur jashtë institucioneve shtetërore, ku është dëmtuar rënd imazhi i shtetit si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri.

Ndërkaq nga ana tjetër, kryetari i Demokristianëve nga Tirana, Nard Ndoka, ka theksuar se kongresi i sotëm i demokristianëve përbën një ngjarje të rëndësishme, pasi që spektri demokristian në hapësirën shqiptare po unifikohet në qëndrime dhe se demokristianët po japin shembullin konkret se si politika duhet të takohet të bisedoj dhe të arrijë kompromise që tejkalojnë interesat personale.

“Jemi dhe mbetemi parti që promovojmë vlera, për të cilët Shqipëria dhe Kosova, dëshiron ti bashkohet familjes evropiane. Më tej ai ne sot jemi mbledhur për festë në kongresin tonë për tu bashkuar për të treguar forcën tonë dhe për t'u thënë të gjithë atyre që kanë mbyllur syve vesh se alternativa demokristiane është e gjallë ka mbijetuar dhe është e gatshme të përballet me çdo konkurrim të ndershëm elektoral”, ka thënë Ndoka.

Ndryshe, kongresi i fundit i Unionit të Demokristianëve ishte mbajtur në vitin 2005, ku për kryetar ishte zgjedhur, kryetari i Partisë Demokristiane, Zef Morina.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›