Bie në greminë kamioni, dy të vdekur dhe një i plagosur
Përgjaken sërish akset veriore të vendit. Dy të vdekur dhe një i plagosur ka qenë bilanci i një aksidenti të ndodhur rreth orës 15:30 të ditës së djeshme, në aksin rrugor Vermosh-Malësi e Madhe. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në vendin e quajtur "Brigjet e Hotit", në një rrugë malore të amortizuar, tepër të vështirë, rreth 20 km larg qytetit të Koplikut. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se makina tip kamion, me targë SH4027E, që lëvizte nga Vermoshi në drejtim të Shkodrës, e ngarkuar me lëndë drusore, ka rënë në një greminë 100 metra të thellë. Në automjetin e përfshirë në ngjarjen rrugore ndodheshin tre persona, nga të cilët dy kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa një i tretë është plagosur rëndë. Mësohet se viktimat janë drejtuesi i mjetit, Gazmend Ujka, 34 vjeç, banor i fshatit Borje dhe pasagjeri 30-vjeçar, Pjerin Smalaj, nga fshati Pjetërshan, ndërsa është plagosur shtetasi Alfred Frangaj, banor i fshatit Hot. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca policie nga Shkodra dhe Kopliku, të cilat dhe me ndihmën e banorëve të zonës kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave nga gremina. I lënduari është dërguar për në spitalin rajonal të Shkodrës, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe aktualisht gjendja e të plagosurit është jashtë rrezikut për jetën. Vetëm tre orë pas aksidentit është bërë e mundur nxjerrja e trupave të dy viktimave, për shkak të terrenit të thyer malor, errësirës dhe reshjeve të shumta të shiut. Ndërkohë, nga hetimet paraprake mësohet se shkak i këtij aksidenti është bërë moti i keq dhe lagështira në rrugën e amortizuar. Sipas policisë, reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në fushëpamjen e drejtuesit të mjetit, duke bërë që kamioni të devijojë nga rruga dhe të bjerë rreth 100 metra në greminë.
Ar.Ho.
Ar.Ho.