Dy të armatosur në konviktin e femrave
Një studente e sëmurë kërkon ndihmën e dy të njohurve të saj ta transportojnë në spital, por gjithçka përfundon me polici. Mësohet se dy personat kanë shkuar pak pas mesnatës, në orët e para të ditës së djeshme te konvikti i Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, për të marrë studenten, me qëllim që ta dërgonin në spital. Por aty janë përballur me rojën e konviktit, i cili nuk ka lejuar hyrjen e dy personave në ambientet e brendshme të konviktit të femrave. Ndërkohë, në debat e sipër me rojën, dy personat tërthorazi kanë treguar se ishin të armatosur, gjë e cila e ka detyruar rojën të tërhiqet vetë dhe të lajmërojë policinë. Ai ka lajmëruar policinë, e cila mbërriti menjëherë në ambientet e konviktit. Burime nga policia thanë se kur mbërritën në vendin e ngjarjes, nuk mundën të gjejnë personat e denoncuar dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.