E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhallari: Nuk gabova, vdekja njihet në mjekësi

Mjeku otorino-laringolog, Xhevair Hoxhallari, i akuzuar nga prokuroria për vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti, e cila ndërroi jetë pas një operacioni për heqjen e bajameve, mohon të ketë gabuar, ndërsa i cilëson akuzat si të pabaza. Në seancën e djeshme gjyqësore, mjeku Hoxhallari, ka deklaruar se vdekja njihet në mjekësi dhe se për rastin konkret kishte treguar të gjithë përkujdesjen. "Vdekja e vajzës hyn te rastet e rralla që ndodhin në mjekësi", është mbrojtur Hoxhallari para gjyqtarit Artan Broci. Por Prokuroria e Tiranës ka si provë kundër tij një raport të detajuar të mjekësisë ligjore, e cila flet për të gjitha shkeljet e mjekut, të cilat sollën sipas prokurorisë edhe vdekjen e vajzës. Po kështu, prokuroria ka vënë në dispozicion të gjykimit edhe kartelën mjekësore që sipas hetuesve në të nuk janë shënuar të dhënat e pacientes, fakti që ajo ka pasur hemorragji pas operacionit dhe ditët në vijim derisa gjeti vdekjen në spitalin civil në Tiranë. Pesë ekspertët kanë përcaktuar disa shkaqe të vdekjes së vajzës, që nga kryerja e operacionit me mjete primitive, mosmbajtja e një kartele të saktë me të dhënat për vajzën dhe ecurinë pas operacionit, mjekimin e pakujdesshëm, si dhe neglizhenca gjatë kohës që vajza u shtrua në spital. Madje, në këtë pikë të raportit, pesë ekspertët fajësojnë edhe mjekun që ishte rojë atë natë në pavijonin e ORL-së. Referuar raportit të dorëzuar në prokurori dhe më pas në gjykatë, mjeku Hoxhallari akuzohet nga kolegët e tij se jo vetëm ka kryer mjekim të pakujdesshëm, por ai ka shmangur mjekimin për pacienten e tij, pikërisht atëherë kur vajza ishte në gjendje të rëndë dhe kishte nevojë për trajtim. Sipas mjekëve, konsiderohet abuzim edhe mospërshkrimi në kartelë i gjendjes shëndetësore të adoleshentes pas operacionit. Hoxhallari ka regjistruar vetëm një fletë, konkretisht datën 6 prill, ditë në të cilën vajza është operuar në klinikën private të tij në Pogradec, si dhe llojin e ndërhyrjes kirurgjikale. Kartela e ekzaminuar mbante vetëm emrin e vajzës, moshën e saj dhe se operacioni do t‘i bëhej për heqjen e bajameve. Por, në ditët në vazhdim apo gjatë gjithë herëve që Matilda Petriti u paraqit me prindërit në klinikë për shkak të hemorragjive të shpeshta, mjeku nuk ka shtuar asgjë në kartelë, procedurë kjo e domosdoshme që ndiqet për pacientët. Një tjetër shkelje e rëndë e mjekut Hoxhallari është konsideruar prej ekspertëve edhe fakti që mjeku ka anashkaluar ndihmën për pacienten e tij atëherë kur ajo u soll në gjendje të rëndë në Tiranë, këtu duke u përmendur edhe kolegu i tij që atë natë ishte mjek roje. Kjo pasi, pavarësisht se mjeku gjendej në shërbim, nuk e ka mjekuar adoleshenten, një fakt ky i deklaruar edhe nga prindërit e Matildës. Vdekja e 17-vjeçares ndodhi në muajin maj të vitit 2008. Në proces, prokurorja kërkoi të thirren si dëshmitarë jo vetëm familjarët e të ndjerës, por edhe mjekë, këta të fundit u kërkuan në gjyq edhe nga avokati mbrojtës i të pandehurit. Përveç kirurgut që e ka operuar vajzën në klinikën e tij private në Pogradec, çështja e vdekjes së Matilda Petritit fillimisht pati nën hetim edhe mjekë të tjerë të spitalit civil pas diskutimeve se përse mjekët neglizhuan të ndërhynin për ta shpëtuar atë me gjithë gjendjen e saj të rënduar.

S.Çobo

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›