E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, fletë-arresti për tre policë rrugorë

Lëshohet urdhër-arresti për tre policisë të qarkullimit rrugor në Elbasan. Akuza që rëndon mbi ta është marrje ryshfeti. Mësohet se urdhri për ndalimin e tyre ka dalë nga SHKB-ja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan. Por ndërsa njëri prej tyre është prangosur, dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Mendohet se operacioni për ndalimin e dy uniformave është dekonspiruar, duke u dhënë mundësi atyre të largohen në drejtim të paditur. Sipas burimeve policore, bëhet e ditur se inspektorët e SHKB-së, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, kishin nxjerrë urdhër-arresti për punonjësit e policisë rrugore, Elmaz Muça, Fatmir Kryeziu dhe Endri Elezi, të tre efektiva të qarkullimit rrugor në Rrethin e Elbasanit. Të njëjtat burime sqarojnë se vetëm Muça, pasi ka mësuar për prerjen e fletë-arrestit, është paraqitur dje në polici duke deklaruar se është i gatshëm të përballet me akuzat që janë ngritur mbi të. Ndërsa dy të tjerët, Kryeziu dhe Elezi, sipas të njëjtave burime, janë larguar në drejtim të paditur. Burimet policore saktësojnë se hetimi ndaj tyre kishte kohë që kishte nisur dhe vetëm tani është bërë e mundur sigurimi i provave, që i implikonte ata në mitëmarrje ndaj drejtuesve të ndryshëm të mjeteve rrugore gjatë kohës që kryenin shërbim në linja ose në trafikun brenda në qytet. Ndërsa policia mbetet në kërkim të dy kolegëve të larguar nga ky operacion i SHKB-së, akuza e përbashkët ndaj tyre mbetet "Mitëmarrje, favorizuar nga detyra funksionale".

Be.Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›