Zbulohen tri grupe hajdutësh, vidhnin makina dhe biznese
Tri operacione të policisë, të realizuara kundër vjedhjeve në kryeqytet, kanë sjellë prangosjen e tetë personave. Burimet policore deklaruan se një nga grupet merrej me vjedhjen e makinave, një person punonte i vetëm, ndërsa grupi tjetër merrej me vjedhje biznesesh. Sipas të dhënave policore nga kryeqyteti, gjatë operacionit të koduar "Çmontimi", shërbimet e Komisariatit Nr. 4 Tiranë, bënë të mundur, dokumentimin e tetë vjedhjeve makinash dhe realizuan ndalimin e gjashtë personave, të dyshuar për "vjedhje më shumë se një herë". "Në pranga përfunduan Gazmir Ngota, 26 vjeç, Sajmir Rexhepi, 20 vjeç, Liridon Frroku, 19 vjeç, Aleksandër Frroku, 16 vjeç, Kristian Seferi, 16 vjeç, Agron Alia, 17 vjeç", deklaroi policia. Ndërkaq, policia deklaroi se po punohet për kapjen e shtetasve Shkëlzen Muçollari, Sergeto Turullai, Florenc Ndoi, Elis Qokaj. Të kërkuarit janë të gjithë nga Lezha dhe Laçi dhe policia ka dokumentuar veprat penale të kryera prej tyre. Autorët e dyshuar, kryesisht vepronin në Tiranë gjatë orëve të vona të natës duke realizuar vjedhjet e automjeteve kryesisht të tipit "Mercedes Benz". Më pas automjetet e vjedhura i dërgonin për shitje apo çmontim të pjesëve në qytetin e Korçës dhe në Laç. Në cilësinë e provës materiale është bërë sekuestrimi i 5 mjeteve. Ndërkaq, në operacionin e koduar "Njeriu i natës", policia mundi të arrestojë të kërkuarin Eugen Arapi, 20 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Ky ishte person i shpallur në kërkim, sepse Gjykata e Kavajës, me vendim të datës 31 korrik 2009, e ka shpallur fajtor, për veprën penale të "vjedhjes". Ai dyshohet për katër vjedhje të tjera të dokumentuara, ndërkohë që si prova u sekuestruan disa sende. Ndërsa për 13 vjedhje biznesesh, shërbimet e Komisariatit Nr. 3 kanë realizuar një tjetër operacion, të koduar "Agjencia", duke bërë të mundur ndalimin e Mario Kapedanit, 26 vjeç, banues në Durrës. Ky person dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetasit tashmë të arrestuar Viktor Tutulani, 50 vjeç dhe Shefik Hasanaj, 30 vjeç, kanë realizuar një sërë vjedhjesh të ndodhura në Tiranë dhe qytetin e Durrësit.
Ble. Gi.
Ble. Gi.