E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli në Prokurorinë e Durrësit, vartësit kundër eprorëve

Kryeprokurorja Ina Rama ka marrë në dorë raportin për shkeljet e prokurorëve në Durrës, ku vihet re se prokurorët e thjeshtë "akuzojnë" titullarët për influencime në vendime. Nga kontrolli i Drejtorisë së Inspektimit në akuzën qendrore ka rezultuar se 70 për qind e dosjeve nuk ka pasur konsensus midis prokurorit të çështjes dhe titullarëve. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, prokurorët e thjeshtë janë ankuar se vendimmarrja e tyre realizohej nga titullarët. Nisur nga këto të dhëna dhe ankesa, në Prokurorinë e Durrësit është ushtruar një kontroll, i cili ka zgjatur një muaj. Një raport voluminoz i është servirur kryeprokurores Ina Rama, e cila disa ditë më parë vendosi shkarkimin e titullarëve të këtij institucioni, me arsyetimin se "në përfundim të kontrollit në Prokurorinë e Durrësit janë konstatuar të meta të theksuara në funksionimin e kësaj prokurorie". "Këto shkelje rezultojnë se kanë ardhur si rrjedhojë direkte e një menaxhimi të dobët nga stafi drejtues i kësaj prokurorie", thuhet më tej në deklaratë. Mbi bazën e këtij kontrolli, Ina Rama shkarkoi Arjan Ndojën, titullarin e prokurorisë dhe zv.drejtuesit e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ndërkohë, në një komunikim të mëparshëm ishte mësuar se prokurori i rrethit të Durrësit kishte dhënë dorëheqjen nga detyra. Megjithatë, burimet nga akuza qendrore deklarojnë se po diskutohet mundësia që drejtuesit e Prokurorisë së Durrësit që janë shkarkuar të procedohen për masë disiplinore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›