Bora e papritur vështirëson udhëtimet në Juglindje
Dëbora e parë në rrugën e Kapshticës dhe vështirësitë e hasura nga reshjet e papritura i kanë detyruar autoritetet të marrin masa të menjëhershme dhe të vendosin borëpastruese në akset nacionale. Të paktën 13 mjete borëpastruese janë vënë në dispozicion të akseve problematike, tre prej të cilave për ndërhyrjet emergjente në rast të dëborës në lartësi të madhe nga toka. Sipas drejtorit të rrugëve nacionale, Kreshnik Zgjani, tashmë është bërë verifikimi teknik i të gjitha mjeteve dhe instalimi i tyre në të gjitha akset për zhbllokimin në kohë të rrugëve nacionale nga dëbora, ndërkohë që sipas të dhënave nga kjo drejtori do të aplikohet pastrimi me kripë dhe granil për të rritur efektshmërinë dhe mundësuar kalimin pa probleme të mjeteve. Kreshnik Zgjani deklaron se janë marrë masat dhe është vënë në dispozicion sasia e lëndës së duhur për përballimin e situatave emergjente. "Për të kryer zhbllokimin e të gjitha akseve janë në gatishmëri 33 mjete, nga të cilat 13 janë borëpastruese dhe 20 mjete të tjera të ndërhyrjes. Këto janë vendosur në rrugët nacionale dhe në disa qafa mali të vështira për kalimin e automjeteve si ajo e Plloçës, e Qarrit dhe e Zvezdës, me qëllim që të kryhet pastrimi në kohë për të mundësuar lëvizjen e lirë të mjeteve. Gjithashtu kemi marrë 350 tonë kripë dhe granil për të rritur efektshmërinë e shkrirjes së dëborës në rrugë", thotë Zgjani. Akset më problematike në juglindje të vendit janë ato që lidhin Korçën me Kapshticën, Pogradecin dhe Kolonjën për shkak të terrenit të vështirë, por dhe rrugët lidhëse me zonat turistike si Dardha dhe Voskopoja.
Ju.Dh.
Ju.Dh.