E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie në korrent, vdes 7-vjeçari

Një 7-vjeçar ka gjetur vdekjen, pasi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy net më parë në Kodër-Kamzë, kur ai ka qenë duke luajtur me shokët. Pas ngjarjes, ai është dërguar në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se rreth orës 21.30 të dy ditëve më parë, shërbimet e Komisariatit Nr. 5 Tiranë, morën njoftim se në ambientet e Spitalit Ushtarak, ka shkuar i vdekur Mariglen Nazmi Sula, 7 vjeç, lindur dhe banues në Kodër-Kamzë. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan uniformat blu të Komisariatit të Kamzës dhe u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale. Sipas hetimeve paraprake, rezultoi se i mituri, rreth orës 18.00, ka qenë duke luajtur me shokët e tij, në një kabinë elektrike, për të cilën mendohet se dera ka qenë e hapur dhe dyshohet se vdekja e këtij vogëlushi është shkaktuar nga rryma elektrike. Policia shpjegoi se aktualisht po punohet më tej për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe është marrë në pyetje edhe elektricisti i zonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›