Piramidat, kapet mashtruesi i 2.5 milionë dollarëve
Një shqiptar i kërkuar për firma piramidale dhe mashtrim në shumën e 2.5 milionë dollarëve është arrestuar dje në Itali. Ahmet Barçi, 44 vjeç, është kapur në Vareze, ku fshihej me emër të rremë që prej më shumë se dhjetë vitesh, kur ishte larguar nga Shqipëria. Policia e qytetit të Varezes, pas kërkesës së Interpol-Tiranës, ka bërë të mundur prangosjen e Ahmet Barçit, 44 vjeç, pasi në vitet 1995-‘96 ka mashtruar me shuma të mëdha, duke i marrë paratë, por duke mos i kthyer më. Lajmi është bërë i ditur një ditë më parë nga policia italiane dhe është konfirmuar nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave i arrestuarit është dënuar në Shqipëri në vitin 2001, nën akuzën e mashtrimit në shuma të mëdha. 44-vjeçari është ndaluar pas një urdhri të dalë nga gjykatat shqiptare, të cilat e kanë dënuar me disa vite burg që në vitin 2001, nën akuzën e "mashtrimit në shuma të mëdha". Ai dyshohet se kishte krijuar në Shqipëri një firmë piramidale. Pikërisht dje, mediat italiane kanë bërë të ditur se policia ka ekzekutuar këto ditë një mandat-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol-Tirana, në ngarkim të shqiptarit Ahmet Barçi, 44 vjeç. Arrestimi i shqiptarit është bërë në Vareze, ku policia kishte gjetur të kërkuarin dhe e kishte ndjekur për disa ditë, derisa e ka vënë në pranga. Policia tha se i arrestuari jetonte së bashku me familjen në një lagje të Varezes, në rrugën "Magenta", ku kishte ngritur dhe një aktivitet tregtar, me artikuj të llojit "Gjithçka për 1 euro". Në vitet 1995 -1996 në Shqipëri, i arrestuari kishte arritur të merrte me anë të mashtrimit një shumë prej më shumë se 2.5 milionë dollarësh, që nuk i kishte kthyer kurrë më. Ndërkaq, interesat financiare të të arrestuarit ishin shtrirë dhe në vende të tjera, në një shoqëri tregtie në Legnano dhe një tjetër shoqëri në Londër. Shqiptari i arrestuar jetonte në Itali me një leje qëndrimi të rregullt, por me një identitet fals. Sipas policisë, gjeneralitetet e dhëna nga shqiptari ishin të rreme.