Sarande, 58 borxhlinj me vite në doganë
Doganës së Sarandës vazhdojnë t‘i detyrohen prej vitesh dhjetëra subjekte që ushtrojnë aktivitet ekonomik në rajonin më jugor të vendit. Janë 58 firma private, që rezultojnë me borxhe të pashlyera në këtë institucion në harkun kohor të viteve 1998-2004. Merdan Nora, kryetar i degës së doganës në Sarandë, tha për "Shqip" se prej tyre 3 subjekte kanë peshën kryesore të borxhit, që shkon në 98%. "Olimpik Petrol", një subjekt që ka ndërprerë aktivitetin, është madje i pagjetshëm, pasi pronari i saj ka qenë shtetas grek. Veç këtij, është edhe një firmë birre, e quajtur "Europa SA", "Onhezmi sh.pk.", si dhe "Alfa SA", borxhi i së cilës arrin në 66.4 milionë lekë prej vitit 2002. Nora thotë se detyrimit të tyre të pashlyer doganor i shtohen edhe penalitetet, si dhe kamatëvonesa e pagesës. Borxhi i prapambetur ka bërë që dogana dhe "borxhlinjtë" e mëdhenj të takohen në dyert e gjykatës. Mes doganës dhe "Alfa SA" të ketë nisur një proces gjyqësor, që ka mbërritur deri në Gjykatën e Lartë.