Pukë, banda me maska sulmon dy shtëpi
Pesë persona nga një fshat i Pukës kanë mbetur të plagosur kur një bandë e armatosur ka hyrë për grabitje në dy shtëpi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të premtes në fshatin Lumzi, rreth 30 km larg qytetit të Pukës. Një grup prej katër personash të armatosur dhe me fytyrën të mbuluar me kapuça kanë hyrë në banesat e Zef Frrokut dhe Pal Lulit, që ndodhen pranë njëra-tjetrës. Nën kërcënimin e armëve automatike, grabitësit kanë vjedhur 600 euro dhe dy telefona celularë në këto shtëpi, ndërkohë që kanë ushtruar dhunë fizike mbi pjesëtarët e dy familjeve, me qëllim që t‘i detyronin ata të tregonin për ndonjë shumë tjetër parash të fshehura në shtëpi. Policia e Pukës, që ka shkuar në vendngjarje vetëm pas mesnatës, bën me dije se pesë persona kanë marrë plagë të rënda dhe janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Dy nga të plagosurit janë anëtarë të familjes Frroku: Zef Frroku, 47 vjeç dhe djali i tij, Besniku, 16 vjeç. Dy të tjerët janë anëtarë të familjes Luli: Pal Luli, 61 vjeç dhe i biri Antoni, 19 vjeç. I plagosuri tjetër, Zef Prenga është ndodhur si mysafir në një nga familjet e sulmuara të premten në mbrëmje. Burimet nga spitali i Pukës thanë se të pesë personat kanë marrë plagë të rënda nga goditjet me qytat e armëve. Ata kanë çarje, shembje dhe fraktura në kokë dhe në trup, por të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën. Deri dje pasdite, policia nuk ka shoqëruar asnjë person të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë. Ndërkohë, dyshohet se një nga grabitësit është i afërm i njërës prej familjeve të dëmtuara.