Grabiti shtëpinë e Bojaxhiut, tenton vetëvrasjen në qeli
Tenton vetëvrasjen në qelitë e komisariatit i arrestuari për vjedhjen e banesës së drejtorit të KESH-it, Gjergj Bojaxhi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy net më parë, ndërkohë që protagonisti i saj ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Demir Mema ka përfituar nga mungesa e policëve në qeli dhe ka lidhur rripin në qeli, duke u vetëvarur. Por, në një kohë të shkurtër ka ardhur ndërhyrja e policëve, të cilët e kanë zbritur poshtë dhe e kanë nisur për në spital. Burimet policore nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se ngjarja është regjistruar dy net më parë në Komisariatin nr. 1, që ndodhet pas Ministrisë së Jashtme. I arrestuari Demir Mema, i cili vetëm dhjetë ditë më parë është liruar nga burgu, duket se nuk e ka përballuar dënimin e tij dhe ridërgimin në qeli, kështu që në depresion ka vendosur t‘i japë fund jetës. Ai ka qenë në qelitë e paraburgimit, kur ka marrë rripin e pantallonave, e ka lidhur në një pikë të fortë mbështetëse dhe e ka vënë në qafë për t‘u vetëvrarë. Në atë kohë, një punonjës policie e ka vënë re dhe ka lajmëruar uniformat e tjera blu që të ndërhyjnë për ta shpëtuar. Menjëherë, protagonisti është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ky person është arrestuar tri ditë më parë nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1, pasi u kap duke vjedhur në vilat në ndërtim të drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, Gjergji Bojaxhi, dhe të atit, Aleksandër Bojaxhi. 23-vjeçari Mema është arrestuar në kushtet e flagrancës në orën 21:00 të mbrëmjes së të mërkurës, midis dy banesave dykatëshe në ndërtim të familjes Bojaxhi, në Farkën e Madhe, në periferi të Tiranës. Mema mësohet se vetëm 10 ditë më parë ka dalë nga burgu, ku kishte shlyer dënimin po për vjedhje. Mema ishte siguruar në ambientet e izolimit të Komisariatit të Policisë Nr. 1, ndërsa pritet të ketë një përballje të vështirë me drejtësinë, tashmë që është kapur si përsëritës në vjedhje. Mema kishte shfrytëzuar errësirën e orës 21:00 të mbrëmjes së mërkurë për të hyrë në zonën e rrethuar ku ngrihen dy vilat. Por, Mema ka nënvlerësuar rojën private të vilave. Ky i fundit ka pikasur hajdutin dhe ka sinjalizuar policinë. Me të marrë sinjalizimin përkatës, në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit Nr. 1 të Policisë së Tiranës. Grupet e gatshme kanë mundësuar ta kapin brenda rrethimit të vilave hajdutin, i cili është detyruar të "dorëzojë" materialet e vjedhura dhe të hipë në furgonin e policisë. Tashmë, policia ka nisur një hetim edhe për shkaqet e vërteta që e çuan atë në vendimin e vetëflijimit. Gjithashtu, dosja i ka kaluar edhe prokurorisë, e cila ka marrë në pyetje policët e shërbimit për të dokumentuar se si kishte ndodhur kjo ngjarje brenda ambienteve të komisariatit.