"Qeveria po zhyt në mizerje më të varfrit"
Partia Socialiste ka reaguar dje ndaj rritjes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, gjatë një konference për shtyp ka fajësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë qeverinë për këtë masakër që po u bën shqiptarëve, të cilët përballen çdo ditë me rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë, por edhe elementeve të tjera të jetesës, si energjia dhe nafta. Rritja e çmimeve është galoponte, ka deklaruar Braçe, ndërkohë që rrogat dhe pensionet mbeten në kufijtë e minimales. "Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij ka dy ditë që po ushqen shqiptarët me lugën e fjalëve: inflacioni nuk përbën problem për shqiptarët dhe buxhetet familjare", është shprehur Braçe. Më tej, ai ka theksuar se ky qëndrim i Kryeministrit Berisha, që ngjan me atë të një njeriu të lashtë, që ha dhe kryen nevoja të tjera fiziologjike, është cinik, tallës, i papërgjegjshëm, kriminal, nën dritën e vetëvrasjeve, krimit të tyre, 1 në 2 ditë. Pra, me qëndrimin e një njeriu që troket në shtëpi, ha, fle, çohet, ha prapë e del në TV e thotë: ‘Do të rroj edhe 30 vjet të tjera‘, kjo nuk është Shqipëria reale, madje kjo nuk është as edhe një familje normale. Nënkryetari i grupit të PS-së, në konferencën e djeshme ka paraqitur disa nga produktet kryesore ushqimore, që shqiptarët konsumojnë çdo ditë dhe çmimet përkatëse për secilin mall. Në shportë kishte vaj, miell, oriz, makarona, djathë, kos, pulë, vezë, domate, speca, kastravecë, sallatë jeshile, të cilat të llogaritura me çmimet e reja shkonte fatura rreth 30 mijë lekë për dy ditë. Kjo faturë është sa kuota maksimale mujore e pagesës së papunësisë. Kjo faturë, tha Braçe, është pak më e lartë se pagesa mujore maksimale e ndihmës ekonomike. Sipas tij, janë mbi 100 mijë familje në këtë gjendje, madje, i bie të hanë në errësirë. Kjo faturë 2-ditore mbaron pensionin minimal në fshat për 4 ditë. "Janë mbi 165 mijë pensionistë fshati në këtë gjendje. Kjo faturë 2-ditore harxhon pensionin minimal në qytet për 10 ditë. Janë mbi 150 mijë pensionistë qyteti në këtë gjendje. Kjo faturë 2-ditore kalon pensionin mesatar në qytet për 16 ditë", tha Braçe. Më tej, ai ka theksuar se për një mësues apo familje mësuesish, do të duheshin 600 mijë lekë të vjetra për të përballuar këtë faturë. Por, rrogat e tyre nuk i kalojnë 450 mijë lekë të ardhura në total. Ja përse mbi 50 mijë mësues janë sot totalisht të varfër. Për një polic do të duheshin 600 mijë lekë të vjetra për të përballuar këtë faturë. Rrogat e tyre nuk i kalojnë 250 mijë lekët. E njëjta situatë është edhe për infermierët. Për sa u takon punonjësve të administratës, nga 116 mijë prej tyre, 70% nuk e kalojnë rrogën prej 350 mijë lekësh. Qeveria e Berishës, u shpreh Braçe, po i zhyt në mizerje më të varfrit. Po i zhyt në varfëri të thellë ata që deri më sot ishin pak mbi të varfrit. Qeveria e Berishës po bën të varfër gjithë shtresën e mesme të shoqërisë, që po harxhon 80 të të ardhurave për ushqim dhe energji.