E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, Shqipëria dhe Kosova "bashkojnë" resurset

Shqipëria, që ende nuk ka dalë nga kriza energjetike, do të ndihmojë Kosovën me energji. Krerët e Korporatave Elektroenergjetike të Shqipërisë dhe Kosovës, Gjergj Bojaxhi i KESH-it dhe Remzi Shahini i KEK-ut, janë takuar dje në Fierzë të Tropojës, ku kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi. Krerët e dy korporatave thanë se marrëveshja ka si qëllim krijimin e kushteve për optimizmin e kapaciteteve gjeneruese, përmirësimin e furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike dhe cilësisë së punës për të dy sistemet elektroenergjetike. Kjo marrëveshje përcakton principet bazë të bashkëpunimit në fushat: shkëmbim i energjisë elektrike, ndihmë emergjente në raste avarish, kushte bazë për shitblerjen e energjisë elektrike, si dhe bashkëpunim reciprok. Marrëveshja shkon në të njëjtën linjë me qëndrimin e shprehur të qeverisë shqiptare për të ndihmuar shtetin e ri të Kosovës me çfarëdo që ai ka nevojë.

Dje në Fierzë, drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, është shprehur i kënaqur për situatën hidrike në kaskadën e Drinit. Bojaxhi tha se niveli i liqenit të Fierzës është aktualisht në kuotën e 293.96 metrave mbi nivelin e detit, ndërsa niveli maksimal i këtij liqeni është 296 metra. Aktualisht, prurjet e ujit janë në nivele të kënaqshme dhe niveli i liqenit të Fierzës rritet me 8 centimetër në ditë. Bojaxhi sqaroi gjithashtu se të gjitha hidrocentralet e ndërtuara mbi lumin Drin janë duke punuar me kapacitet të plotë dhe se prodhimi total i energjisë në vend arrin në 12.226 milionë kilovat/orë. Kreu i KESH tha se Shqipëria importon aktualisht 3.257 milionë kilovat/orë, ndërsa nevojat e konsumit shkojnë në 15.483 milionë kilovat/orë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›