E Diel, 1 Nëntor 2026

Rishfaqen trafiqet, gjendet gomonia me 150 kg hashash



VLORË – Dyshimet për rishfaqjen e trafikut përmes detit janë faktuar, pasi gjatë kontrolleve policore përgjatë vijës bregdetare, është gjetur një gomone me një ngarkesë të konsiderueshme lënde narkotike. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se gjatë realizimit të operacionit “Deti i pastër”, i nisur dy ditë më parë, është bllokuar dhe sekuestruar një mjet lundrimi, tip gomone, me gjatësi 5.2 metra. Gatë kontrollit, brenda saj u gjetën 150 kilogramë lëndë narkotike, e llojit Cannabis Sattiva. Burimet zyrtare të Policisë së Kufirit dhe Migracionit në këtë qark ende nuk kanë të dhëna për autorësinë. Mjeti lundrues është diktuar në orët e vona të së premtes, në hapësirën detare në jugperëndim të Gadishullit të Karaburunit. Forcat e policisë mbërritën në vendin ku u diktua gomonia dhe e sekuestruan atë në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që pas peshimit lënda narkotike rezultoi të ishte plot 1.5 kv. “Gomonia ka një gjatësi 5.2 metra dhe u diktua nga policia kufitare e cila, e mbështetur dhe nga forcat e Repartit Antitrafik Delta Force, u vu në ndjekje të saj, për ta bllokuar pas një operacioni që zgjati më shumë se një orë”- thanë burimet e policisë. Aktualisht, policia po heton rreth këtij rasti të trafikut të lëndëve narkotike dhe personave që kanë lidhje me të. Dyshimet e para, sipas policisë flasim për një destinacion të mundshëm vendin fqinj, por ende nuk ka të dhëna zyrtare. Bllokimi u bë vetëm pak orë pas një operacioni të nisur në bashkëpunim mes forcave të policisë, të koduar me emrin “Deti i Pastër”, që synon kontrollin e mjeteve lundruese për të shmangur trafikun njerëzor, por edhe atë të narkotikëve. Në shënjestër të vëzhgimit dhe kontrollit të hollësishëm është vënë e gjithë vija bregdetare, që nga Saranda deri në Lushnjë. Pas përfundimit të periudhës së korrjes së lëndës narkotike, kjo është përpjekja e parë për trafikimin e drogës drejt Italisë përmes Adriatikut.

Masa, mbetet në qeli transportuesi i 296 kg Cannabis

GJIROKASTËR - Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër dha të shtunën masën "arrest në burg" për 40 vjeçarin Petrit Telharaja, i cili u ndalua pesë ditë më parë duke transportuar 296 kg lëndë narkotike Cannabis Sattiva, në afërsi të "Urës së Dragotit", rreth 50 km larg qytetit të Gjirokastrës. Shtetasi Telharaja gjatë ballafaqimit me trupin gjykues pranoi akuzën dhe i kërkoi gjykim të përshpejtuar. Policia e Gjirokastrës, në kuadër të operacionit të koduar "Fillimi", arrestoi 40 vjeçarin Petrit Telharaja teksa po transportonte me automjetin e tij furgon tip "Benz", 296 kg lëndë narkotike Cannabis Sattiva, ngarkesë e cila dyshohet se kishte si destinacion kryeqytetin shqiptar. Nga hetimet paraprake, thuhet se lënda narkotike ishte marrë në Lazarat.

Dhunohet punonjësi i elektrikut për faturën e kripur, 3 në pranga

KORÇË - Tre persona janë arrestuar nga policia, sepse kanë dhunuar fizikisht një punonjës të filialit elektrik. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Maliqit dhe mësohet se shkak është bërë një faturë elektrike, mbërritur në emër të familjarëve të njërit prej agresorëve.
Sipas burimeve të policisë, mësohet se në pranga janë vënë shtetasit Azem Marjanaku, 25-vjeç, nga Maliqi, i cili më parë ka qenë i dënuar për veprën penale të vjedhjes. “Ndalimi i tij është bërë së bashku me shtetasit Riza Marjanaku, 37-vjeç dhe Olgert Asmllari, 27-vjeç edhe këta banues në Maliq, pasi kanë goditur një nga punonjësit e filialit elektrik”- thanë të njëjtat burime, që nuk bëjnë me dije emrin e punonjësit të lënduar. Nga hetimet e para mësohet se shkak i sherrit, që përfundoi me ushtrim dhune është bërë një faturë elektrike, që i është vendosur motrës së Olger Asimllarit. Faturë, që familja e ka cilësuar të padrejtë, pasi pretendonte se nuk e kishte konsumuar energjinë që i është faturuar.

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›