Përplas për vdekje 5-vjeçaren, zhduket nga vendngjarja
MALËSI E MADHE - Një vajzë e vogël 5 vjeçare humbi jetën të premten në fshatin Grizhë të rrethit të Malësisë së Madhe, teksa u përplas nga një makinë në kohën që po dilte nga shtëpia e saj, ndërsa autori i ngjajres është larguar menjëherë nga vendngjarja. Burime pranë komisariatit të policisë së Malësisë së Madhe thanë se "Ambra Zenelaj, banuese e fshatit Grizhë, humbi jetën pasi u përplas nga një automjet që po kalonte në rrugët e brendshme të fshatit". Sipas policisë, autori i këtij aksidenti, i cili nuk është identifikuar akoma, është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që persona të tjerë bënë të mundur dërgimin e 5 vjeçares në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Mësohet se megjithë ndërhyrjen e menjëhershme kirurgjikale të mjekëve, si rezultat i plagëve të mëdha të marra 5 vjeçarja Ambra Zenelaj humbi jetën. Forcat e policisë së Malësisë së Madhe janë duke punuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorit që shkaktoi aksidentin që i mori jetën vogëlushes Zenelaj.
21 Qershor 2008