“Tri nuse të një fisi presin prej 16 vitesh burrat e tyre nga kurbeti”
Të shtunën e kaluar, në “Njerëz të humbur” në Vizion Plus, bëri bujë një histori me vlera të jashtëzakonshme për jetën. Naslie Methasani braktis fëmijën se nuk ishte e martuar, por për “ironi të fatit” ajo martohet me babain e vajzës një muaj pas braktisjes së saj. Nëna e Sonila Methasanit dhe pjesa tjetër e familjes së saj rrëfyen në studio ngjarjen e rrallë. Sonila lindi në datën 21 gusht të vitit 1978 në Maternitetin e Peshkopisë. Nëna e vajzës, në atë kohë vetëm 16 vjeçe, detyrohet ta braktisë vajzën e saj. Naslia nuk kishte bërë celebrim me babain e vajzës dhe e dorëzon fëmijën dyditëshe në Shtëpinë e Foshnjës në Shkodër. Aty ajo e regjistron vajzën me emrin Sonila Naslie Methasani. Dita e dorëzimit në këtë institucion ka qenë dhe dita e fundit që nëna e ka parë vajzën e saj. Pas disa kohësh Naslia martohet me babain biologjik të vajzës. Në datën 6 janar të vitit 1988 Naslia shkon sërish në Shtëpinë e Foshnjës, Shkodër, për të kërkuar vajzën e tyre dhe prindërit kanë vënë re shkarazi se Sonila kishte dalë nga institucioni më 31 gusht të vitit 1978, vetëm 10 ditë pas braktisjes së saj në maternitet. Pengu i rinisë së saj e “detyroi” Naslien t`i drejtohet “Njerëz të humbur” për të kërkuar një gjurmë jete të vajzës së saj. U fol fillimisht për një vajzë e cila kishte ardhur nga Shtëpia e Fëmijës Shkodër dhe banonte prej shumë vitesh te konviktet e Shkollës Teknologjike në Tiranë. Ajo quhej Sonila dhe ishte rreth moshës së vajzës e cila kërkohej në “Njerëz të humbur”. Por ky nuk do të ishte i vetmi informacion për të. Historia ngjalli kureshtje dhe për shumë teleshikues, të cilët dhanë vendndodhje të tjera të kësaj vajze, detajet e së cilës priten të zbardhen gjatë kësaj jave. Një student me rezultate të shkëlqyera, pasionant i informatikës e fanatik i fesë, por jo vetëm kaq. Lulëzim Berberi, me origjinë nga qyteti i Beratit, u largua nga Shqipëria në vitin 1999. Pas tri ditësh në familjen Berberi mbërrin zëri i Lulëzimit nga Turqia. Një tjetër telefonatë pas shumë pak ditësh do të shënonte edhe komunikimin e fundit mes familjes Berberi dhe të afërmit të tyre... Edhe pse haste vazhdimisht kundërshtimet e prindërve për të qenë aq i lidhur me fenë, 21-vjeçari nuk u ndal asnjëherë në leximet e librave dhe materialeve që i jepnin dituri dhe njohje mbi fenë dhe vlerat që ajo i jepte atij si qenie njerëzore. Dashurinë për islamin ai e demonstroi në Luftën e Kosovës, kur mori aktivisht pjesë në betejën e përgjakshme të vitit 1998. Pista e pjesëmarrjes në këtë luftë mbetet ende e errët edhe nga familjarët e 30-vjeçarit. Pas 4 muajsh djali kthehet nga lufta i traumatizuar nga pasojat e saj. Për këtë motiv prindërit e dërgojnë në Greqi te vëllai i tij i madh, Behari. Pas 6 muajsh Lulëzimi kthehet në Shqipëri dhe kërkon nga i ati t’i nxirrte një pasaportë, pasi do të shkonte në Australi. Babai nuk arrin t’ia plotësojë këtë kërkesë dhe brenda 24 orëve Lulëzimi e nxjerr vetë pasaportën duke u larguar përfundimisht nga Shqipëria. Enigma e frikshme e historisë “Berberi” vazhdon edhe sot. Gjatë trajtimit të këtij rasti në studion e “Njerëz të humbur”, në Vizion plus, pati një numër të madh telefonatash dhe dëshmish që hodhën edhe pistat e para të një vendndodhje të mundshme të Lulëzimit, sot 30 vjeç. Turqia dhe Australia ishin dy shtetet me të përfolura. Pas një jave kërkimesh dhe investigimesh intensive për këtë rast, pista e Australisë është vënë në pikëpyetje në fillim sepse nuk dihet me siguri nëse Lulëzimi ka telefonuar me të nga Australia për herë të fundit apo gjithçka ishte e planifikuar për të dhënë përshtypjen se ai tashmë ndodhej në një kontinent të largët për të humbur gjurmët e tij përgjithmonë. Historia “Berberi” do të vazhdojë edhe në javët që do të vijojnë për të zbardhur atë pjesë të misterit që mundon edhe sot pas 9 vitesh nga humbja familjen e tij.
Sonte në “Njerëz të humbur” do të mund të ndiqni: Tri familjet pogradecare të Artan Xhukellarit, Fatos dhe Bashkim Latifllarit mbajnë prej 16 vitesh barrën e kurbetit, plaga e të cilit rrjedh ende dhimbje. Tri nuset e djemve qëndrojnë krah prindërve të burrave të tyre në pritje të një telefonate nga djemtë pogradecarë. Dikur jetonte me familjen në Itali, por që prej 2005-s kjo e fundit nuk ka asnjë lloj kontakti me të. Nëna mban mend që djali ka qenë i shqetësuar në telefonatën e fundit. Cila është enigma e shqetësimit të Dritan Murtos!? “Njerëz të humbur” në Vizion Plus në kërkim intensiv të Sonila Met`hasanit. Në Tiranë, apo në Shkodër? Cila është vendndodhja më e fundit e saj? Këto dhe të tjera ju ftojmë t`i ndiqi sonte ora 21:00 në “Njerëz të humbur” në Vizion Plus.
21 Qershor 2008