Dita Ndërkombëtare e Muzikës, festë në rrugët e kryeqytetit
Tiranë - Sheshet kryesore të kryeqytetit do të tejmbushen për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Muzikës. Në këtë ditë, Bashkia e Tiranës ka organizuar një numër të madh evenimentesh në sheshet kryesore të kryeqytetit. Kështu kryeqytetasit do të mund të shijojnë në, muzikë për të gjitha moshat dhe shijet. Për këtë, është hartuar një axhendë, e cila parashikon aktivitete të ndryshme gjatë pasdites, duke filluar nga ora 17:00 deri në orën 21:00. Ndërsa në orën 17:30, në lulishten e monumentit Skënderbe, një grup i specializuar animatorësh do të argëtojnë fëmijët, nga një skenë e improvizuar, ku do të ketë një program artistik me këngë dhe valle për fëmijë. E veçanta e këtij programi është se mjaft nga këngëtarët e valltaret janë artistë të vegjël, por edhe fakti se kjo performancë artistike synon të jetë sa më interaktive për spektatorët e mitur. Gjatë intervalit kohor 18:00, Ansambli Tirana do të performojë për 60 minuta. Repertori i tyre do të përfshijë këngë dhe valle të krahinës, por edhe të trevave të tjera shqiptare. Në këtë skenë në orën 19:00 do të ngjiten studentët e Akademisë së Arteve, për t’i dhuruar kësaj pasditeje, tingujt e muzikës klasike botërore. Në nder të kësaj ditë do të marrin pjesë vëllezërit Qerimaj në orën 19:45. Në orën 18:00, në Urën e Re (ish-ura e vogël), D.j Indri, një nga D.j. më të preferuar të rinisë, do të miksojë për spektatoret, muzikë house. Më pas aktiviteti do të vazhdojë me baladat e këngëtarëve Marsida Saraçi e Arbër Arapi, muzika e fortë dhe alternative e Gledis e Joridës, tingujt ritmik të Ariela Krasniqit, do të ndryshojnë totalisht buzëmbrëmjen e të shtunës në kryeqytet.
21 Qershor 2008