Prangoset specialisti i mobilizimit, falsifikonte dokumentet e përfundimit të ushtrisë
KAVAJË – Një specialist i Qendrës së Rekrutimit të Kavajës, prej shumë kohësh, falsifikonte dëshmi të përfundimit të shërbimit ushtarak për të rinj, kundrejt pagesave të majme, por një hetim tremujor i prokurorisë dhe policisë ka përfunduar me prangosjen e tij. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se është arrestuar të premten shtetasi Xhami Xeka, nga Hajdaraj i Kavajës, specialist në zyrën e rekrutimit e mobilizimit në repartin ushtarak të Kavajës. Për zbulimin e aktivitetit dhe ndalimin e tij është organizuar operacioni i koduar me emrin “Rekrutimi”. Sipas zëdhënësit të Policisë së Shtetit Klodian Branko, aksioni për kapjen e 48 vjeçarit Xeka u organizuar nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit. Prokuroria e rrethit Kavajë kishte urdhëruar ndalimin për këtë person, pasi nga hetimet paraprake të kryera ndaj tij është vërtetuar se ka lëshuar vërtetime të falsifikuara personave të ndryshëm për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak kundrejt shumës prej 100 mijë lekësh. Zëdhënësi Branko tha se grupi hetimor po vazhdon punën për zbulimin e rasteve të tjera të ngjashme. Burimet policore bëjnë të ditur se ka abuzime edhe në qendrat e tjera të rekrutimit. Sipas legjislacionit, çdo i ri që mbush moshën 18 vjeç, me përjashtim të personave që mbarojnë studimet universitare, duhet të kryejë shërbimin ushtarak. Nëse nuk e bën një gjë të tillë, ai duhet të paguajë 3 milionë lekë të vjetra. Në Shqipëri ka një përqindje të lartë të rinjsh që i shmangen shërbimit të detyruar ushtarak. Kjo është bërë shkas për abuzime në qendrat e mobilizimit. Ky është rasti i parë i hetuar për vitin 2008 në radhën e strukturave të ushtrisë.
21 Qershor 2008