Bie nga ballkoni, vdes 53-vjeçari
ELBASAN Bie nga ballkoni dhe vdes një 53-vjeçar nga Elbasani. Ngjarja ndodhi dje rreth mesditës në lagjen ‘5 maji’ në këtë qytet. Fatmir Hoti me banim në këtë lagje ka rënë nga ballkoni i apartamentit në katin e katërt të pallatit ku jetonte dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Për 53-vjeçarin nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi për shkak të politraumës që ka pësuar. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertët dhe grupi hetimor. Nga të dhënat paraprake rezulton se i ndjeri ndodhej nën efektin e alkoolit kur ka rënë aksidentalisht nga ballkoni. Një burim hetimor u shpreh se i ndodhur nën këtë efekt, Fatmir Hoti ka tentuar të heqë disa rroba të varura në ballkonin e komshiut një kat sipër tij. Por nga pakujdesia ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga lartësia, duke gjetur vdekjen. Ai jetonte me gruan dhe dy vajza. F.S.