Bie nga njëmijë metra kamioni me dru, një i vdekur
Një aksident me kamion në malet e Kukësit i ka marrë jetën një personi, si dhe ka plagosur mjaft rëndë një tjetër. Elez Spahiu dhe Bardhyl Omuri, që të dy nga fshati Kolesjan, kanë qenë duke mbartur dru zjarri me një kamion të tyre, të tipit IFA, në afërsi të Lakut të Dardhës, në thellësi të masivit të Limthit, 35 km larg Kukësit, por përpjekja e tyre ka rezultuar fatale. Pasi kanë mbushur kamionin me dru, punë e që e bënin prej kohësh, ka ndodhur aksidenti vdekjeprurës. Në terrenin e thyer dhe me pak lagështirë, kamioni ka dalë nga rruga dhe është përmbysur dhjetëra herë deri në humnerën, prej rreth njëmijë metrash. Nga rrëzimi i kamionit ka mbetur i vdekur në vend Elez Spahiu, 44 vjeç, nga Kolesjani, baba i katër fëmijëve, ndërsa është lënduar rëndë shoku i tij Bardhyl Omuri, 35 vjeç, nga i njëjti fshat. Burime të spitalit civil të Kukësit thanë për gazetën "Shqip" se Spahiu kishte mbërritur pa frymë për shkak se kishte derdhur shumë gjak dhe se kishte dëmtuar organet jetike nga shtypja e kamionit, ndërsa 35-vjeçari Omuri kishte plagë tepër të rënda dhe menjëherë e kanë dërguar me helikopter në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në vendngjarje ka shkuar një ekip i ekspertëve të policisë, të cilët kanë verifikuar nga afër terrenin e ngjarjes si dhe kanë vëzhguar mjetin e shkatërruar në luginë, por ende nuk janë prononcuar zyrtarisht për shkaqet e aksidentit. Tregu i druve të zjarrit në Kukës është një nga sektorët e vështirë, ku janë angazhuar një numër personash që presin dru dhe që i transportojnë në tregun e qytetit. Për shkak të shkretimit të masiveve pyjore nga zjarret dhe nga sëpata, drutë e zjarrit duhen kërkuar gjithnjë e më në thellësi dhe në terrene të rrezikshme. Nga ana tjetër, kamioni, me të cilin kanë punuar dy kolesjanasit, është prodhuar të paktën 35 vjet të shkuara dhe praktikisht, sipas specialistëve të fushës, ato lloj kamionësh nuk paraqesin asnjë garanci. Aksidenti i të martës e çon 5 numrin e të vdekurve nga aksidentet me makina në shkallë qarku për vitin në vazhdim, katër prej të cilëve pikërisht në rrugë rurale të vështira.