E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Të hiqet TVSH për arsimin privat

Grupi i deputetëve të Partisë Socialiste ndërmerr një nismë ligjore në Kuvend për heqjen e TVSH-së nga arsimi privat. Selia rozë i jep rëndësi të veçantë përmirësimit rrënjësor të cilësisë së arsimit, i cili mbetet prioritet në zhvillimin e vendit. "Edhe këtë herë, siç bën zakonisht me propozimet e opozitës, mazhoranca refuzoi të marrë në konsideratë propozimin tonë duke iu mohuar të drejtën për të përfituar nga heqja e TVSH-së për arsimin si për atë publik edhe për atë jo publik", tha kryetarja e grupit Valentina Leskaj. Sipas saj, ky është një qëndrim obskurantist ndaj arsimit, një veprim që dëshmon se e gjithë zhurma që bëhet për arsimin si prioritet nga kjo qeveri është false, pasi arsimi mbështetet me politika favorizuese, jo me masa shtrënguese. "Ky vendim është njëherësh cinizëm i mazhorancës, pasi kosto e përjashtimit të arsimit nga TVSH nuk është e lartë", theksoi Leskaj. Teksa shtoi se kjo politikë shtrënguese penalizon të gjithë ata fëmijë dhe prindër që kërkojnë arsimim sa më cilësor qoftë ky publik apo privat. PS deklarohet se mbështet sektorin privat, krahas atij publik, sepse është e drejta e shtetasve që jo vetëm të synojnë një cilësi më të mirë, po edhe për shkak se prindërit që punojnë nuk mund t‘i lënë fëmijët rrugëve për shkak të orareve të ndryshme, që kanë mundësi që nuk jua ofron dot shkolla publike. "Shteti që nuk është në gjendje t‘u ofrojë fëmijëve atë që u ofron shkolla jo publike, në vend që t‘i rëndojë me taksa duhet të mendojë për mekanizma të tjera që lehtësojnë koston e arsimit", u shpreh Leskaj. PS thotë se nuk është hera e parë që shërbimet jo publike shihen me sy të shtrembër, rrjedhojë e mentalitetit komunist. Grupi parlamentar i PS në përputhje me qëndrimin e Leskajt, depozitoi në parlament një nismë ligjore, e cila mundëson lehtësimin e arsimit nga TVSH. "Vizioni ynë mbi politikat fiskale për të mbështetur arsimin është në përputhje të plotë me legjislacionin modern të vendeve evropiane", theksoi Leskaj. Ajo paralajmëroi se, nëse kjo nismë nuk do votohet nga mazhoranca, natyrisht do të jetë një nga nismat e para që ne do bëjmë sa të vijmë në pushtet, pasi arsimi mbetet prioritet për PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›