E Diel, 1 Nëntor 2026

"Tekstet mësimore me cilësi të dobët"

Cilësia e dobët e teksteve mësimore, kaosi dhe mungesa e trajnimit të mësuesve, lidhur me tekstet alternative, ishin çështjet më gjatë të diskutuara në fazën e dytë të "Dialogut me Shqipërinë për Arsimin", të zhvilluar në qytetin bregdetar të Vlorës. Duke bashkëbiseduar më mësues dhe pedagogë të këtij qyteti, kryetari i PS-së, Edi Rama, dëgjoi prej tyre pohimin se tekstet alternative janë krejtësisht të shkëputura nga boshti i një programi, duke sjellë herë pas here, jo vetëm deformim të dijes, por studimin e të njëjtës çështje dy herë në dy vite shkollorë pasues. Kryesocialisti, gjatë bashkëbisedimit me mësuesit dhe pedagogët e Vlorës, u shpreh për të ndërtuar një sistem arsimor që të mos lejojë gafa dhe deformim të dijes. "Kam besim plotë se kjo krizë e thellë, ku është arsimi në Shqipëri, që është evidente në të gjitha bisedat me mësuesit, pedagogët, nxënësit drejtpërdrejt, është një krizë plotësisht e kapërcyeshme", tha Rama. Kam po ashtu besim të plotë, shtoi ai, se me këto burime njerëzore, me këtë eksperiencë shumë të çmuar të mësuesve, pedagogëve e mësuesve në gjithë Shqipërinë, i kemi të gjitha mundësitë të ndërtojmë një sistem tjetër, një sistem arsimor funksional. "Tekstet alternative janë shprehje e demokracisë së këndvështrimeve mbi botën, janë shprehje e domosdoshmërisë që në një sistem të lirisë së të menduarit, t‘ju jepen njerëzve më shumë sesa një variant, zgjidhje, apo rrugë për të trajtuar çështje të matematikës, historisë, letërsisë, fizikës, kimisë e kështu me radhë", theksoi Rama. Ai sqaroi se nuk mund të këtë cilësi në tekstet shkollore përderisa sot e gjithë ditën megjithëse është rënë dakord që të punohet me tekste alternative, ende nuk është bërë programi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›