E Diel, 1 Nëntor 2026

Profesionalet e tekniket shkurtohen një vit

Arsimi teknik dhe profesional do të shkurtohet me një vit. Aktualisht, përfundon pas 3 ose 5 vjetësh dhe sipas strukturës së re do të konsiderohet i mbyllur pas 2 vjetësh, 3 vjetësh ose 4 vjetësh studimi, sipas degës së zgjedhur nga vetë nxënësit.

Propozimin për ndryshimin e kohëzgjatjes së arsimit teknik dhe profesional e ka bërë Ministria e Arsimit dhe Këshilli i Ministrave. Projektligji i hartuar posaçërisht për të realizuar ndryshimet në ligjin aktual "për arsimin dhe formimin profesional", i ka kaluar komisioneve parlamentare. Së shpejti drafti pritet të marrë edhe "bekimin" e Kuvendit. Sipas këtij ndryshimi, arsimi profesional publik dhe privat fillon pas mbarimit të arsimit bazë, me kohëzgjatje 3 vjet (2+1) dhe ndahet në dy nivele: I pari zgjat dy vjet; i dyti, një vit pas nivelit të parë. Pas mbarimit të nivelit të parë, krahas dëftesës së përfundimit të këtyre viteve studimi, nxënësit pajisen edhe me certifikatë aftësimi profesional të nivelit të parë. Në përfundim të nivelit të dytë, nxënësit marrin dëftesën për këto vite studimi, si dhe certifikatën e arsimit profesional të nivelit të dytë. Arsimi i mesëm teknik publik dhe privat fillon pas mbarimit të arsimit bazë dhe zgjat katër vjet. Pas mbarimit të tri viteve të arsimit profesional, arsimi teknik zgjat edhe një vit më shumë. Nxënësit, që mbarojnë shkollat teknike publike dhe private, krahas dëftesës së pjekurisë marrin edhe certifikatën e aftësimit profesional dhe teknik. Atyre u njihet mbarimi i shkollës së mesme dhe mundësia e vazhdimit të studimeve në institucionet e arsimit të lartë. Formimi profesional publik dhe privat zhvillohet përmes kurseve të formimit, të riformimit dhe të riaftësimit profesional me kohëzgjatje deri në dy vjet.

Qëllimi i këtij ndryshimi, sipas propozuesve të draftit, është përshtatja e sistemit të shkollave profesionale me ndryshimet që ka pësuar arsimi parauniversitar. Kështu arsyetohet se "zgjatja e arsimit bazë nga tetë në nëntë vjet dhe shkurtimi i arsimit të mesëm të përgjithshëm nga katër në tre vjet, sjell si nevojë edhe rishikimin e strukturës dhe të kohëzgjatjes së arsimit të mesëm teknik dhe profesional". Për këtë arsye, kohëzgjatja e arsimit profesional do të jetë 2 vjet dhe 2+1 vite pas arsimit bazë. Ndërsa kohëzgjatja e arsimit teknik do të jetë katër vjet pas mbarimit të arsimit bazë, ose një vit pas mbarimit të tre viteve të arsimit profesional. Lidhur me efektet financiare shtesë mësohet se "shkurtimi me një vit i arsimit profesional dhe atij teknik e ul koston e përgatitjes së nxënësve rreth 15-20%. Zbatimi i strukturës së re të arsimit profesional ka të bëjë edhe me hartimin e skelet-kurrikulave dhe të programeve të reja mësimore, pa harruar trajnimin e mësuesve. Për vitin 2008-2009 janë parashikuar që të shpenzohen për 173 skelet-kurrikula (lëndë mësimore) dhe programe të reja plot 18700000 lekë. Ndërsa për trajnimin e 370 mësuesve do të shpenzohen 8300000 lekë.

Në relacionin mbështetës për këtë ndryshim ligjor bëhet e ditur se në strukturën aktuale të arsimit profesional evidentohen probleme, që lidhen me ekzistencën e një hendeku mes kualifikimeve profesionale që ofrohen dhe nevojave për punë. Mes problemeve rreshtohet edhe pamundësia e sistemit arsimor aktual për t‘iu përgjigjur si duhet ndryshimeve politike, shoqërore dhe ekonomike të 10-15 viteve të fundit. Struktura e re e arsimit të mesëm, teknik e profesional, sipas propozuesve të tij, mendohet se do të jetë më fleksibël. Mes risive që pretendohet se sjell ky ndryshim është edhe përshtatshmëria e lartë me kërkesat në rritje të tregut të punës në nivel rajonal dhe kombëtar. Por, si më cilësore konsiderohet ndarja në blloqe, ku secili prej tyre përfundon me një nivel profesional, siguron dalje në tregun e punës dhe mundësi vazhdimësie e kualifikimi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›